Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha dënon protestën e nisur nga studentët prej dy ditësh.
Ai thotë se pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme.
Hoxha shton se shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë, por dhuna jo.
Sipas tij, askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që na përket të gjithëve, emrin dhe reputacionin e Shqipërisë.
Shqipëria ka bërë hapa madhorë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar më shumë besim dhe respekt ndërkombëtar dhe duke ndërtuar imazhin e një vendi të qëndrueshëm, të sigurt, mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës. Pikërisht për këtë arsye, pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme.
Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër. Imazhi ynë ndërkombëtar është ndërtuar me shumë mund, ndër vite e dekada, por mund të cenohet lehtësisht.
Çdo pamje dhune ndaj institucioneve, pronës publike apo asaj private dobëson mesazhin e stabilitetit, dëmton perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët dhe hedh hije e dyshime mbi aftësinë tonë të përbashkët për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo. Askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që na përket të gjithëve: emrin dhe reputacionin e Shqipërisë.



