Protestat masive të udhëhequra nga të rinjtë për rritjen e kostos së jetesës, arsimin dhe rënien e shërbimeve publike kanë degjeneruar në dhunë të egër urbane në disa shtete të Evropës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Portugalinë dhe Shqipërinë, raporton theGuardian.
Pasi ra nata të shtunën, tubimet kryesisht paqësore u infiltruan nga persona me maska, duke shkaktuar përleshje të përgjakshme me forcat e rendit.
Në Paris dhe qytete të tjera të mëdha si Marsejë, Lion dhe Tuluzë, situata doli jashtë kontrollit ku mbi 320,000 persona mbushën rrugët (disa prej tyre me kostume Halloween-i).
Prefekti i Policisë, Laurent Nuñez, e përshkroi nivelin e dhunës si "të jashtëzakonshëm".
Prokuroria e Parisit hapi një hetim formal për tentativë vrasjeje ndaj personave me autoritet publik, pasi një bombë me benzinë (molotov) u hodh ndaj një grupi prej 15 efektivësh.
Një prej tyre pësoi djegie të shkallës së dytë, pamje të cilat u transmetuan në televizionet franceze.
Mbi 770 të arrestuar, edhe pse bilanci ishte më i ulët se trazirat e rënda të 17 tetorit (ku u arrestuan 2,600 persona), dëmet materiale dhe përleshjet mbeten masive.
Qendra financiare e Gjermanisë, Frankfurti, u thye dhe u plaçkit nga grupe të dhunshme. Gjatë përleshjeve mbetën të plagosur më shumë se 100 oficerë policie.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, premtoi një linjë të ashpër ligjore, duke veçuar grupet e ekstremit të majtë dhe elementët problematikë nga komunitetet e emigrantëve.
"Dënime të ashpra duhet të pasojnë këtë shkelje të rendit dhe qetësisë", deklaroi ai për gazetën Bild, duke shtuar se prania e madhe policore parandaloi skenat katastrofike si ato të Parisit.
Vala e pakënaqësisë vjeshtore u shtri edhe më gjerë në kontinent.
Në Portugali, policia përdori qentë e shërbimit dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë me forcë kampet e ngritura nga protestuesit.
Në Zvicër, forcat e sigurisë u sulmuan masivisht me gurë të shkulur nga shtrimet e rrugëve.
Në Shqipëri, protestues të maskuar hodhën gurë dhe bomba zjarri ndaj policisë në kryeqytet, Tiranë, në margjinat e një demonstrate që kërkonte dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama, për shkak të korrupsionit të perceptuar.
Ministria e brendshme tha të premten se 350 persona ishin lënduar në protesta, përfshirë 200 policë, me 269 të mitur të arrestuar.
Në Zvicër, qindra protestues u mblodhën në Cyrih dhe Bazel të shtunën në mbrëmje për demonstrata të paautorizuara - të dyja përfunduan me dhunë - nën sloganin: "Edhe në Zvicër kemi pasur mjaft."
Në Bazel, policia tha se rreth 150 persona u mblodhën në qendër të qytetit rreth orës 21:00.
Vitrinat e dyqaneve u thyen, fasadat u shënuan me grafite dhe kazanët e mbeturinave dhe biçikletat u dogjën, me incidente të raportuara edhe në Gjenevë.



