
Pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci deklaroi në "MCN Lajme" se protestat aktuale nuk janë të ndara, por përbëjnë një përshkallëzim kombëtar të qëndresës qytetare të nisur që prej muajit maj.
Sipas tij, qytetarët po ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të marrë fatin e kombit në dorë, pasi qeveria ka refuzuar dialogun dhe është pozicionuar në një konflikt me popullin.
Unë nuk jam dakord me ndarjen e protestës. Kjo është protesta e shoqërisë shqiptare dhe e gjithë Shqipërisë, është protestë kombëtare.
Nuk ka lidhje me njëra apo me tjetrën, është vazhdimësi e së njëjtës protestë, e ka fillimin shumë më herët, ka pasur prej majit, tani është një përshkallëzim i asaj proteste që ka filluar.
Nuk bindi ajo protestë, sepse qeveria në mënyrë demonstrative ka thënë: 'Unë nuk pyes për njeri, unë do ta bëj Shqipërinë si ka më qejfi mua', dhe tani jemi përballë një nyjeje kushtetuese ku qytetarët po shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të drejtën kushtetuese për të marrë në duar fatin e kombit.
Kryeministri nuk merr më dot vendime politike dhe të gjitha vendimet që janë këtu, është: mblidh horra, gangsterë, agjenda të huaja dhe fillo bëj luftë me popullin.
Nga ana e tij, teologu Ilir Curri theksoi se dhuna e shfaqur gjatë tubimeve nuk është e stisur, por përbën pasojë direkte të keqqeverisjes 13-vjeçare dhe skandaleve të fundit.
Përtej aludimeve, qeveria përpiqet ta justifikojë dhe përpiqet të shpikë armiq të brendshëm dhe të jashtëm, sikur protesta ishte si e shtyrë.
Duhet të themi se Shqipëria po kalon një krizë që ka të bëjë me shkaqe reale dhe ata njerëz që po protestojnë aty janë edhe ata djemtë dhe vajzat që po protestojnë për të ardhmen e tyre dhe krizat e panumërta.
Cilat janë shkaqet reale për krizën? Kryeministri thotë: 'Unë nuk dorëhiqem', kjo do të thotë të mos marrësh mbi vete përgjegjësinë e atyre politikave të ndjekura për 13 vite dhe aq më tepër të mos marrësh përgjegjësi për skandalet e muajve të fundit.
Dhuna e protestave është pasojë e keqqeverisjes, dështim i pushtetit. Shkaku është keqqeverisja, padrejtësia.



