Projekt-Kodi i ri Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime me gjobë ose burgim deri në një vit për fyerjen, poshtërimin, keqtrajtimin fizik apo psikologjik dhe shqetësimin në vendin e punës.
Drejtori i Institutit për Politika dhe Ekonomi, Bashkim Selmani thotë se është e vështirë të vërtetohen rastet e abuzimit në punë.
Duke folur për “MCN Live” ai deklaroi se ky ligj do të krijojë më shumë pasiguri.
Nuk është mjet i qëlluar, nuk është mjet juridik i studiuar që do të garantonte të drejta dhe detyrime të barabarta në punë. Nuk do të ketë ndonjë efekt, këtë nen e kanë futur me qëllim për të defokusuar krimin dhe korrupsionin institucional.
Është praktikë formale ligjore, se do ishte më mirë që shteti të fokusohet me rritjen e pagave të punonjësve, se sa të merren me këto çështje, të cilat mund të zgjidhen me një denoncim.
Sipas tij, ajo që bie në sy, është çështja e raporteve mes të punësuarve, por ndan bindjen se ky nen nuk është ndonjë risi, por synon heqjen e vëmendjes nga përgjegjësia e zyrtarëve të lartë që krimi dhe korrupsioni po ka përfshirë.
