MCN TV u bë pjesë e forumit të parë mediatik Shqiptaro-Kinez, ku u bashkuan përfaqësues të mediave të të dy vendeve, me fokus komunikimin e drejtpërdrejtë, shkëmbimin e përmbajtjeve dhe njohjen më të mirë të realiteteve përkatëse.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e cilësoi median si një urë komunikimi mes dy vendeve dhe popujve.
Nga ana e tij Leonard Mitro, kryeredaktor i lajmeve në MCN TV, solli këndvështrimin e tij mbi historikun e bashkëpunimit mediatik mes Shqipërisë dhe Kinës dhe perspektivat për zhvillimin e partneriteteve të reja profesionale.
Duke iu referuar historikut të marrëdhënieve mes dy vendeve, ai kujtoi rolin që media ka luajtur ndër vite në njohjen e ndërsjellë, duke përmendur krijimin e Shërbimit Shqip të Radio Ndërkombëtare të Kinës në vitin 1969 dhe zhvillimin e mëvonshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve mediatike.
Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi perspektivës së bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, përkthimit automatik, gazetarisë digjitale dhe verifikimit të informacionit.
Mitro përmendi gjithashtu artin, kulturën dhe sportin si fusha që mund të krijojnë hapësira të reja për prodhime të përbashkëta, dokumentarë dhe programe televizive.
Duke evidentuar edhe sfidat e këtij bashkëpunimi, veçanërisht transparencën dhe pabarazinë në shkëmbimin e përmbajtjeve, Mitro theksoi rëndësinë e respektimit të pavarësisë editoriale dhe reciprocitetit.
Sipas tij, bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në transmetimin e përmbajtjeve kineze në Shqipëri, por duhet të krijojë mundësi reale për prodhime të përbashkëta dhe për prezantimin e përmbajtjeve shqiptare për publikun kinez.
Forumi evidentoi disa fusha ku bashkëpunimi mes mediave shqiptare dhe kineze mund të marrë formë konkrete, shkëmbimi i lajmeve dhe materialeve audiovizive, intervistat dhe reportazhet e përbashkëta, trajnimet profesionale, vizitat e gazetarëve dhe projektet e përbashkëta editoriale.
