Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur pasditen e kësaj të marte në Bazën Ajrore të Kuçovës me armën e shërbimit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:46, teksa efektivi E.D. ishte duke kryer shërbimin.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, pas ngjarjes atij i është dhënë ndihma e parë dhe është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit.
Nga vlerësimi mjekësor, efektivi rezulton me parametra jetësorë brenda normës dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë ku do të vijojë trajtimin e specializuar.
Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur Policia Ushtarake, e cila po vijon procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të incidentit. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit.



