Sondazhet e daljes në zgjedhjet në Izrael nuk nxjerrin një fitues të qartë, duke paralajmëruar negociata të vështira për formimin e qeverisë së ardhshme.
Sipas projeksioneve të mediave kryesore izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të sigurojë rreth 50 mandate, ndërsa opozita e udhëhequr Gadi Eisenkot, 52–53 mandate. Asnjëri prej tyre nuk arrin shumicën prej 61 vendesh në parlamentin me 120 deputetë.
Në këtë situatë, partitë arabe, të cilave sondazhet u parashikojnë 17–18 mandate, mund të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e kryeministrit të ardhshëm, nëse palët e tjera pranojnë të bashkëpunojnë me to.
Eisenkot e interpretoi rezultatin si një shenjë të mungesës së besimit te Netanyahu, ndërsa zgjedhjet konsiderohen një test i rëndësishëm për gati 17 vitet e tij në pushtet.
Fushata u zhvillua në një klimë të tensionuar, e dominuar nga çështjet e sigurisë, luftërat në rajon, rekrutimi ushtarak dhe kritikat ndaj qeverisë aktuale.
Pjesëmarrja në votime kaloi 74%, niveli më i lartë në dekada. Megjithatë, sondazhet e daljes nuk përbëjnë rezultate përfundimtare dhe shifrat mund të ndryshojnë gjatë numërimit të votave.
Nëse asnjëra palë nuk arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme për krijimin e një qeverie, Izraeli mund të përballet me javë negociatash politike, ose edhe me zgjedhje të reja.



