Kostandin Fonin nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas thotë se pezullimi i qarkullimit mëngjesin e sotëm, u bë për t’i paraprirë seancës parlamentare ku pritet miratimi i buxhetit dhe paketës fiskale 2027.
Ai deklaroi për “MCN Live” se gjithë shqetësimi i tyre është rritja e TVSH-së, çka do të çojë direkt në rritjen e çmimit të biletës, gjë që do të rëndojë xhepat e qytetarëve.
Jemi thirrur dhe në Komisionin e Ekonomisë lidhur me TVSH-në që është rritur. Pezullimi i përkohshëm në rang vendi është bërë që të merren në konsideratë kërkesat tona se rritja e TVSH-së përkthehet automatikisht në rritje të çmimit të biletës.
Me miratimin e TVSH nga 20 deri në 21% do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të ndryshuar ose jo çmimin e biletës. Ne kemi kërkuar lehtësimin e barrës fiskale, në mënyrë që gjithë kjo barrë fiskale të mos rëndojë xhepat e qytetarëve.
Kërkesa jonë ka qenë që TVSH të mos rritet por të shkojë në nivelet e rajonit. Ne kërkojmë lehtësim të barrës fiskale dhe mbështetje financiare.
Kompensimi i karburantit 50 lekë për litër është bërë deri në muajin tetor. Nuk është në atë nivel që duhet kompensimi sepse mesatarja e rritjes së çmimit të karburantit është 60-70 lekë.
