Aktivisti Geraldo Sollaku dhe ai Përparim Gjeka nënvizojnë nevojën e daljes së një forcë të re politike nga takimi i diasporës më 22 nëntor.
Duke folur për “MCN Live”, avokati Ervis Çela u shpreh se domosdoshmëri për arritjen e suksesit të forcave të reja politike është ndryshimi i Kodit Zgjedhor.
Gjeka
Në takimin e parë u diskutua krijimi i një force politike dhe në 22 nëntor do bëjnë një mbledhje të përgjithshme në Tiranë, ku do dalin ndoshta me themelimin e një force të re politike me bazë në diasporë dhe i urojmë suksese kësaj lëvizje të re.
Ky është një zhvillim pozitiv për të bashkuar të gjithë diasporën, por nuk është e gjithë diaspora që do marrë pjesë. Gjithë diaspora ka qenë shumë aktive në protestat në Shqipëri nga qershori deri tani.
Organizimi po bëhet kryesisht nga Italia, por ka dhe nga Anglia, Belgjika. Është një rrjet i organizuar më parë por tani po mendohen ti japin drejtim mendimit të tyre, për ta konkretizuar me një forcë politike.
Sollaku
Mendoj se është shumë e nevojshme të dalë një forcë politike nga diaspora, për shkak edhe të eksperiencës që disponojnë. Mendoj se do sillte patjetër një ndryshim.
Do ishte idealja që të bëhej gjithë diaspora bashkë. Mendoj se do të kemi mbështetje shumë të madhe nga studentët sepse dhe ne do i mbështesim fuqimisht ata.
Çela
Është lajm shumë i mirë që diaspora organizohet për të sjellë angazhimin në shtetin amë. Nëse deri dje pa u miratuar vota e diasporës, për shkak të angazhimeve dhe jetës e kishin thuajse të pamundur pjesa më e madhe e tyre të shprehnin vullnetin politik, tani secili prej tyre në bazë të bindjeve politike mund të mbështesin një forcë apo një tjetër.
Nëse shkojmë te organizimi i një force politike, duhet gërshetuar eksperienca e vendit këtu me dijet dhe njohuritë që marrin në vendin ku jetojnë. Në gjithë këto vite ka pasur shumë forca që kanë tentuar t’i dalin ballë. Pse nuk ishin të suksesshëm? Janë ndeshur me një mur të pakalueshëm nga marrëveshja e partive politike që deri diku ta pamundëson pjesën tënde të përfaqësimit.
Nëse ti merr 80 mijë vota dhe kjo përkthehet në një mandat përfaqësimi, kjo tregon se ti ke mbështetje por nuk je vendimmarrës në parlament.
I vetmi instrument ligjor që ti të kundërshtosh politikat, duhet të kesh votat dhe mandatet në parlament për ta imponuar. Duhet një Kod i ri Zgjedhor, ndryshe të njëjtin fat do kenë dhe partitë e reja politike.
