Ligji për barazinë gjinore i miratuar në Kuvend në nëntor të vitit 2025 u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës i cili kërkoi shfuqizimin e tij, dhe pak ditë më parë kërkesa u mor në shqyrtim.
Pastori Akil Pano deklaroi për “MCN Live” se ligji është antikushtetues dhe se qëllimi i dërgimit në Kushtetuese, është mbrojtja e familjes.
Sipas tij, në ligj janë zhdukur nocionet mashkull-femër dhe babë-nënë.
Ligji në tërësi është antikushtetues. Fjalën e kanë zëvendësuar me burrë-grua. Nuk ka rëndësi se çfarë ti je përmes lindjes, çfarë natyra thotë dhe imponon, e rëndësishme për ligjin e barazisë gjinore është si ti do deklarohesh, si ti ndihesh, si ti do shpallesh, me anë të vetëdeklarimit ti merr një përmasë legjitime.
Kemi të bëjmë me një shumësi faktorësh identitar. Sot janë listuar mbi 72 përkatësi të ndryshme dhe kjo e çon ligjin e barazisë gjinore që me shumë kokëfortësi kërkon të ndryshojë gjuhën e ligjit në dokumente, në certifikata. Është një histori e testuar në Perëndim dhe ka shkaktuar pasoja të rënda, pasi fëmijët përgatiten sipas ideologjisë gjinore.
Injektohen produkte hormonale që anatomia femërore të mos zhvillohet deri sa përgatiten për ndërhyrje kirurgjikale deri në moshën 14-16 vjeç. Vijojmë betejën tonë duke u përplasur në Gjykatën Kushtetuese dhe jam shumë mirënjohës që gjykata e hapi çështjen të hënën e kaluar dhe zgjati nga ora 10.00 deri në 16.00.
Palët kundërshtare për mbrojtjen e ligjit ishin Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi. Ne duam të mbrojmë familjen. Te ky ligj janë zhdukur nocionet mashkull-femër dhe nocionet babë-nënë.
Ligji flet për kuotat e përfaqësimit në institucionet dhe komunitetet fetare, por ky ligj parashikon përfaqësimin e çdo gjinie, ashtu siç ndihen. Ky nuk është ligj shqiptar, por i përket ekstremit të majtë.
