Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku ngre shqetësimin se Shqipërisë i mungon marketimi i vajit të ullirit dhe kërkon që Ministria e Bujqësisë të bëjë politikën e tregut.
Drejtori i Departamentit të Qendrës së Transferimit të Teknologjisë Bujqësore, Vlorë, Adhurim Lazaj, tha për “MCN Live” se këtë vit kemi prodhimin më të lartë të vajit të ullirit në vend.
Pilku
Ajo që na mungon ne dhe kjo duhet të jetë një nga politikat e Ministrisë së Bujqësisë është çështja e marketingut. Ne nuk kemi vaj ulliri të marketuar. Ne dalim në raftet e supermarketeve në Shqipëri dhe nuk gjen vaj ulliri vendas, por vetëm vaj importi.
Ne e trajtojmë në mënyrën më çnjerëzore vajin e ullirit, në bidona plastikë, në rrezet e diellit. Ndërkohë që duhet mbajtur në shishe qelqi, shishe qelqi të errëta ose në enë inoksi ushqimor.
Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë atë që kërkon Bashkimi Europian, që është politika e tregut, në mënyrë që të kemi dhe standardet përkatëse të përcaktuara në letër, në mënyrë që vaji i ullirit të marrë vlerën përkatëse.
Lazaj
Jemi në periudhën e vjeljes së ullirit dhe fokusi kryesor është te vjelja e ullirit dhe nxjerrja e vajit. Jemi në një situatë të pafavorshme në raport me vendet e Europës prodhuesit më të mirë të vajit të ullirit, për shkak të çmimit të pafavorshëm në treg, në raport me koston e prodhimit.
Këtë vit në Shqipëri parashikohet prodhimi më i lartë që është marrë ndonjëherë në Shqipëri. Nëse arrihet të vilet totalisht mund të kalojë pa frikë 165 mijë ton prodhim, prodhimi më i lartë i vajit të ullirit. Për çmimin jemi në një treg që konkurrojmë me vendet e rajonit shumë të zhvilluar.
Vetëm Spanja prodhon 1 milion e 600 mijë ton dhe bashkë me Italinë janë prodhuesit kryesorë dhe eksportojnë 60% të vajit në Europë. Mungesa e krahut të punës dhe vjelja, bashkë me përpunimin, po na shkon kostoja e vajit më e lartë.
Kostoja për 1 litër vaj ulliri shkon më shumë se 5 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që me çmim pakice mund të jetë 7 mijë lekë të vjetra. Por është me tendencë rënie se ka shumë prodhim.
