Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka dalë këtë të premte nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku konfirmoi se ka dëshmuar pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) lidhur me kallëzimin e bërë ndaj kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për dhunën e ushtruar në protestën e 17 tetorit.
Në një prononcim për mediat jashtë dyerve të SPAK, Kapri deklaroi se prokuroria ka nisur tashmë hetimet për ngjarjen e 17 tetorit, ku sipas tij, efektivët kanë dhunuar të rinjtë dhe e kanë sulmuar atë personalisht me gaz lotsjellës me urdhër të drejtuesve të policisë.
Duke folur për gazetarët pas përfundimit të dëshmisë, Kapri sqaroi ecurinë e kallëzimit penal dhe theksoi se ky zhvillim vjen vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar të 28 Nëntorit.
Kam bërë një kallëzim në SPAK ndaj Hitajt për datën 17 tetor, kur ishte dhe kulmi i protestës, ku u morën zvarrë një numër i madh të rinjsh dhe janë rrahur në mënyrë barbare, ndërsa Kryeministria u rrethua nga forcat RENEA. Bashkë me Agron Shehajn hasëm në bulevard drejtorin e Policisë duke i kërkuar llogari për këtë dhunë barbare. Ai refuzoi të jepte llogari dhe më pas urdhëroi një nga punonjësit e vet të më sulmonte me gaz lotsjellës. SPAK ka nisur një hetim për dhunën policore dhe barbare të ushtruar në protestë. Ky është një lajm dyfish i mirë pas vendimit për pezullimin e aktit normativ. Fakti që nis një hetim nga prokuroria për policinë dhe dhunën e saj është lajm i mirë për drejtësinë dhe protestuesit. Kemi kallëzuar drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe kreun e policisë që ushtrojnë detyrën dhe japin urdhrin për sjelljen e policisë. Kemi bërë kallëzimin, kam dhënë dëshminë time pranë BKH-së. Kemi paraqitur disa prova dhe do paraqesim të tjera në vijim, ndërkohë që jemi një ditë para protestës së madhe të 28 Nëntorit, e cila do të shënojë dhe Nëntorin e Tretë.
