Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë. Ata që shkatërruan, sulmuan prefekturat dhe institucionet tregtare, madje edhe plaçkitën bashkitë tona, do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen.
Kështu shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në X, duke shprehur mbështetjen për policinë për të cilën tha se garanton të drejtën për të demonstruar.
Ne të gjithë, të bashkuar, do t’i kundërvihemi atyre që mbjellin kaos, individëve që synojnë vetëm të minojnë institucionet tona dhe që i pengojnë ata që shprehin paqësisht kërkesat e tyre ta bëjnë këtë.
Gjatë protestave të sotme u arrestuan 272 persona në Paris, Marsejë, Rennes, Tuluzë dhe Angers.
Franca është përfshirë nga përleshje masive midis policisë dhe protestuesve në qytete të ndryshme, ndërsa mijëra persona dalin në rrugë në disa nga demonstratat më të dhunshme që vendi ka parë vitet e fundit, për shkak të rritjes së kostove të jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.



