Në studion e MCN Live, avokati Franc Nuri dhe eksperti i sigurisë, Milazim Gashi, diskutuan në lidhje me përfshirjen në hetimet për dosjen AKSHI të shefes së SHISH, Vlora Hysenit, ndaj të cilës është vendosur sot masa “arrest me burg”. Gashi u shpreh se nëse akuzat ndaj saj provohen, përgjegjësia bie mbi qeverinë e Edi Ramës. Ndërsa avokati Nuri tha se Rama duhet t’u dalë për zot emërimeve që ka bërë.
Milazim Gashi
Ky hetim mund të çojë në një bastardim më të thellë. Në rast se kemi një kurth për Vlorën nga qeveria e Shqipërisë, faturën do ta paguajë Edi Rama. Ajo ka qenë e kontraktuar nga SHBA. Njerëzit e caktuar brenda Shqipërisë mund ta implikojnë me dokumente false. E tërë fatura mund të bjerë mbi qeverinë shqiptare. Shqipëria gjendet në kontrata të dyshimta që nuk janë të certifikuara. Përgjegjësia është individuale në aspektin penal, por në aspektin politik është përgjegjësi edhe e Edi Ramës. Ai duhej të kishte dhënë dorëheqjen dhe të japë llogari pse ka zgjedhur këta individë.
Franc Nuri
Edi Rama i ka emëruar të dy. Janë emërime të kryera me firmë të Edi Ramës. Vlora Hysenin ai e ka pasur këshilltare. Vjen nga një background tejet negativ në republikën e Kosovës. Pra vjen e shkarkuar nga një detyrë e tillë dhe Edi Rama i beson institucionin. Sot është nën akuzë për tjetërsimin dhe dhënien e të dhënave te krimi e organizuar. Nuk e ka emëruar Parlamenti Vlora Hysenin, është Edi Rama ai që e ka zgjedhur. Ai duhet t’u dalë për zot emërimeve që ka vërë. Nuk mund të justifikohet për të gjithë të emëruarit e tij që bien në rrjetën e drejtësisë njëri pas tjetrit.



