
Projektligji i ri për Buxhetin e vitit 2027 ka hyrë zyrtarisht në rrugëtimin e tij parlamentar, duke u prezantuar gjatë mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve nga Ministri i Financave, Petrit Malaj.
Ky projektbuxhet, i cili parashikon shpenzimet publike më të larta në historinë e vendit, synon të konsolidojë rritjen ekonomike dhe të thellojë mbështetjen sociale.
Gjatë fjalës së tij përpara krerëve të komisioneve parlamentare, Malaj vuri theksin te rritja rekord e shpenzimeve publike, duke deklaruar se ky buxhet kapërcen shifrën e 10 miliardë lekëve dhe se është i orientuar drejt fushave ku matet drejtpërdrejt përgjegjësia e shtetit.
Ne kemi parashikuar mbi 10 miliardë lekë shpenzime publike, të cilat përfaqësojnë vlerën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, ku do të ketë më shumë para për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe arsimin, pa lënë pas dore mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ky projektbuxhet bazohet mbi tre prioritete themelore që janë mirëqenia sociale, stabiliteti fiskal, si dhe investimet, reformat e integrimi evropian, duke akorduar një fond prej 20 miliardë lekësh në mënyrë specifike vetëm për pensionet dhe mbrojtjen sociale.
Më tej, Malaj u ndal në performancën e deritanishme të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2026, duke nënvizuar se rritja e qëndrueshme dhe investimet e huaja po e afrojnë Shqipërinë gjithnjë e më shumë me standardet e familjes evropiane.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, ne kemi dëshmuar një rritje të konsiderueshme në të gjithë sektorët e ekonomisë, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe nga sektori i turizmit, i cili vazhdon të mbetet një shtyllë kryesore. Ekonomia jonë po krijon gjithnjë e më shumë fuqi punësimi, ndërkohë që inflacioni vijon të mbetet në normën e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë në vlerën 3%, dhe investimet e huaja direkte po vazhdojnë një rritje të qëndrueshme, çka dëshmon se Shqipëria po ecën me ritme të sigurta drejt afrimit të ekonomisë së saj me atë të Bashkimit Europian, ku për vitin 2027 të ardhurat buxhetore parashikohet të arrijnë në 9.4 miliardë euro.
Sipas relacionit shoqërues të projektbuxhetit, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me një normë prej 4% në vit, ndërsa borxhi publik pritet të vijojë trajektoren e tij rënëse në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Nga ana tjetër, ky proces ka nisur me tensione politike dhe mungesë konsensusi. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zgjedhur të mos marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke ngritur akuza të rënda ndaj mazhorancës për shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe fshehje të dokumentacionit zyrtar.
Përfaqësuesit e opozitës pretendojnë se mbledhja u thirr pa respektuar afatin e detyrueshëm 48-orësh të parashikuar në rregullore, dhe se deputetëve nuk u është vënë ende në dispozicion projektbuxheti i vitit 2027 së bashku me relacionet shoqëruese.
Përmes një deklarate, PD-ja kërkoi që dokumentet e plota t'u dorëzohen menjëherë deputetëve, duke këmbëngulur që shqyrtimi i dokumentit më të rëndësishëm financiar të vendit të zhvillohet me transparencë të plotë dhe me kohë të mjaftueshme për debate dhe analiza të thelluara.



