Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën e ish-deputetit Ervin Salianji, duke lënë në fuqi vendimet e gjykatave që e dënuan atë. Salianji kishte kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë 2019, Gjykatës së Apelit 2024 dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë 2025.
Gjykata pranoi se dënimi penal përbën një ndërhyrje në lirinë e shprehjes, por nënvizoi se kjo ndërhyrje ishte e parashikuar me ligj dhe kishte një qëllim legjitim. Duke iu referuar edhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Kushtetuesja theksoi se Konventa nuk garanton liri të pakufizuar të shprehjes kur personat nuk veprojnë me mirëbesim në ofrimin e një informacioni të saktë dhe të besueshëm.
"Gjykata, pasi diskutoi çështjen edhe në drejtim të proporcionalitetit të ndërhyrjes, me shumicë votash, vlerësoi se ajo është proporcionale me qëllimet legjitime të ndjekura dhe arsyet e parashtruara nga gjykatat e zakonshme për ta justifikuar atë ishin relevante dhe të mjaftueshme," thuhet në njoftim.
Përveç lirisë së shprehjes, Ervin Salianji kishte ngritur edhe pretendime të tjera që lidheshin me cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Megjithatë, trupa gjykuese e Kushtetueses i gjeti këto pretendime të pabazuara, duke vendosur përfundimisht:
Gjykata Kushtetuese bën me dije se vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara ligjore. Ky vendim mbyll përfundimisht rrugëtimin ligjor të ish-deputetit brenda vendit, duke lënë në fuqi dënimin e tij të formës së prerë.



