Prodhuesit e qumështit dhe fermerët shqiptarë kanë lëshuar një alarm publik kushtuar krizës së thellë në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke akuzuar institucionet shtetërore, specifikisht AZHBR-në, se përmes pengesave burokratike po i shtyjnë drejt falimentimit.
Përmes një deklarate, ata theksojnë se krahas ngrohjes globale, rritjes së çmimeve të inputeve dhe mungesës së fuqisë punëtore, burokracia mbytëse shtetërore po e kthen punën e tyre pa garanci në një formë të mirëfilltë të "skllavërisë moderne".
Sipas blegtorëve, fondet publike dhe skemat e investimeve që duhet të shërbenin si stimuj, shpesh kthehen në rrugë të gjata penalizimesh dhe skualifikimesh formale, ku fermeri trajtohet si "i dyshuar" dhe jo si sipërmarrës që rrezikon kapitalin e tij.
Fermerët skualifikohen për arsye thjesht formale e burokratike, ndërsa vlerat e investimeve u ulen në mënyrë të pajustifikuar përmes kërkesave të pafundme për dokumente të përsëritura.
Ata ankohen se afatet e vendosura për realizimin e investimeve apo blerjen e makinerive nuk përputhen me realitetin e tregut, duke krijuar kushte artificiale penalizimi.
Strukturat shtetërore kryejnë inspektime me vonesë, ku më e rënda sipas tyre është se fermerët penalizohen për vonesa të dokumenteve që varen nga vetë institucionet publike si lejet e ndërtimit apo certifikatat e përdorimit.
Krijohen komisione të njëpasnjëshme që zvarrisin transfertat financiare, u shkurtohen fondet apo u kërkohet kthimi i parapagimeve, duke u shkaktuar goditje të rënda financiare. Pagesat e subvensioneve vonohen rregullisht, duke dëmtuar rëndë planifikimin e kostove të përditshme të prodhimit.
Blegtorët e mbyllin thirrjen e tyre me një mesazh të prerë drejtuar shtetit: "Pa fermerë nuk ka bujqësi, pa bujqësi nuk ka prodhim vendas, dhe pa prodhim vendas nuk ka siguri ushqimore." Ata kërkojnë me ngulm politika reale mbështetëse, procedura transparente dhe institucione bashkëpunuese që mbrojnë ata që prodhojnë.



