Gazetari Mariglen Kume, ka analizuar letrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pretendonte se ishte transferuar në mënyrë të paligjshme nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në studion e "MCN Live", Kume tha se mesazhi i Veliajt nuk është thjesht një mesazh për Kryeministrin Edi Rama, por një përpjekje e qëllimshme për të dëmtuar imazhin dhe pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
“Ka një ligësi strategjike. Më shumë se një sulm ndaj Ramës, Veliaj ka bërë një sulm ndaj drejtësisë, sepse ai insinuon se SPAK dhe drejtësia është një vegël në dorën e Ramës. Ai po tenton të sulmojë dhe të bëjë pis Prokurorinë e Posaçme.
A ka kontroll ose jo kryeministri mbi SPAK? Unë them se nuk ka hapësirë për të ngritur pikëpyetje për këtë pjesë, sepse shefja e SHISH që ishte emëruar nga Rama u arrestua nga SPAK.
Kume ka komentuar edhe procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Partia Demokrate mori kontrollin e plotë të Kongresit. Sipas tij, standardet e votimit në SHBA ndryshojnë tërësisht nga ato në Shqipëri. Kume tha se tani beteja në SHBA do të jetë më e fortë, por s'do ketë ndikim në Shqipëri.
Ndryshon terreni politik nga Amerika me Shqipërinë, sepse ne në Shqipëri kemi probleme në mënyrë të rregullt, kurse atje procesi zgjedhor është i saktë dhe korrekt dhe vetë Trump e ka pranuar këtë rezultat dhe ka thënë se është i gatshëm për bashkëpunim. Unë them se në SHBA do të bëhet më ndryshe politika dhe beteja do të jetë më e fortë. Por nuk besoj se kjo do të ketë ndonjë ndikim në Shqipëri.



