Eksperti i IT, Besmir Semanaj, për raportimin e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni te Ergys Agasi, flet për rënie totale të sigurisë kombëtare.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai u shpreh se hetimet do të zbulojnë edhe personazhe të tjerë të përfshirë.
Sipas tij, bëhet fjalë për një grup të strukturuar, ku të gjitha këto fije lidhen dhe bashkohen te AKSHI.
Siguria kombëtare nuk është thjesht cenuar, por nuk kemi më siguri kombëtare. Se nuk po flasim më për funksionarë politik, por për burokratë që kanë për detyrë të mbrojnë shtetin dhe qeverinë. Drejtoresha e SHISH ka detyrë të mbrojë shtetin dhe sigurinë, si dhe për drejtorin e Policisë. Nuk po flasim më për figura politike, por po flasim për teknokratë që do të duhet të mbronin atdheun si nga armiqtë e brendshëm dhe nga ata të jashtëm.
Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar dhe të gjitha këto fije lidhen dhe bashkohen te AKSHI. Ishte hetimi ndaj AKSHI-t ai që zbuloi një rrjet që përfshinte policinë, SHISH, shpresoj që hetimi të vazhdojë dhe më thellë. Duhet hetim dhe për pjesën e Hipotekave dhe për sistemin e drejtësisë ku hidhen shortet. Duhet hetim për gjithë këto institucione që janë implementuar nga ky institucion dhe kompanitë që kanë punuar me këtë institucion.
Duhet të hetohet ku ruhen të dhënat e shqiptarëve. Nuk e kuptoj dot se si ka mundësi që Presidenti i Republikës nuk ka mbledhur Këshillin e Sigurisë. Për t’iu treguar shqiptarëve që shteti vazhdon të funksionojë dhe që shteti është këtu dhe është i besueshëm.
Kemi të bëjmë dhe me humbjen e besueshmërisë ndaj partnerëve. Se të gjithë e dimë që ka shkëmbim komunikimesh me vendet partnere dhe institucionet e sigurisë. Këtu nuk kemi të bëjmë me diçka politike, por me rënien totale të sigurisë kombëtare.
Ndërsa reagimi i Kryeministrit Rama është për ndërkombëtarët. Por kjo situatë humb totalisht besueshmërinë ndaj çdo shërbimi sekret në mbarë botën.
I pyetur se cili është aplikacioni me të cilën komunikonin dhe sa i sigurt është ai, Semanaj tha se është përdour Signal, për të cilin u shpreh se është një aplikacion i sigurt për të chatuar.
Sipas tij, nga ana teknologjike është 100% i sigurt nuk mund të përgjohet, por se bisedat mes Hysenit dhe Agasit, janë gjetur në celularë.
Këto personazhe ruanin bisedat dhe kur SPAK ka hapur telefonat dhe aplikacionin, janë gjetur komunikimet. Nuk janë përgjuar komunikimet. Bisedat kanë qenë të ruajtura në telefon. As Whatsap as Signal nuk përgjohen në kohë reale.
Mund të ketë pasur dhe shumë të tjera që janë fshirë. Por kur ruhen në back up këto biseda mund të rikthehen. Nuk e di kush ka ngelur pa qenë pjesë e këtij rrjeti, mendoj se personazhet e tjerë do i tregojë koha dhe hetimet e SPAK.



