Presidenti francez Emmanuel Macron ka akuzuar Donald Trump dhe udhëheqës të tjerë të huaj se kanë bërë “komente budallaqe” në lidhje me trazirat në rrugët e Francës për përfitime politike, ndërsa vendi përgatitet për protesta të tjera këtë fundjavë.
Duke folur gjatë një vizite në Katar, presidenti francez nuk përmendi emra, por tha se “Manipulimi i informacionit pas trazirave të së shtunës ka çuar në komente që janë po aq të papranueshme sa edhe budallallëqe, nga shumë njerëz, përfshirë udhëheqës të huaj”.
I pyetur nëse po i referohej Donald Trump, Macron u përgjigj: “Ndër të tjerë.”
Presidenti amerikan ka fajësuar për dhunën e Francës emigrantët, xhihadistët dhe komunistët, ndërsa bën fushatë për partinë e tij Republikane para zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Macron u tha gazetarëve në Doha se disa udhëheqës në mes të fushatave zgjedhore, qoftë këtu në rajon apo në anën tjetër të Atlantikut po përhapnin naivisht narrativa që qarqe të caktuara po përpiqen qartë t’i promovojnë.
Ata po e përdornin vendin tonë për fushatat e tyre politike. Dhe ne nuk kemi nevojë për këtë. Ne tashmë kemi vështirësi për t’u përballur.
Ai tha se imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale po qarkullonin dhe përshkruanin skena që në të vërtetë nuk kanë ndodhur kurrë në Francë.



