
Një kanal i ujërave të zeza, i hapur në mes të lagjes |24 Maji| në Vlorë, është kthyer në makthin e përditshëm të banorëve. Ajo që duhet të ishte një zonë normale banimi, sot përballet me erën e rëndë të fekaleve, ndotjen dhe mungesën e ndërhyrjes nga institucionet.
Banorët thonë se kanali u ka ardhur deri te dera e shtëpisë, duke ua bërë jetesën të padurueshme.
“Kanali i fekaleve na ka zënë derën!”, është një nga denoncimet e banorëve, të cilët ngrenë edhe një pyetje tronditëse për kushtet në të cilat janë detyruar të jetojnë: “Po të ndodhë një vdekje, nga ta nxjerrim arkivolin?”
Një deklaratë që përmbledh më së miri absurditetin e situatës: jo vetëm që banorët përballen me ujërat e zeza në pragun e shtëpive, por tashmë ndihen të bllokuar edhe në një nga momentet më të vështira të jetës.
Pranë detit, në një qytet që promovon turizmin dhe bukuritë natyrore, banorët e 24 Majit thonë për emisionin “Fol” në MCN TV, se janë lënë në harresë. Ndërsa Vlora prezantohet si destinacion turistik, në këtë lagje realiteti është krejt tjetër: kanale të hapura, fekale dhe mungesë
investimesh.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për mbylljen e kanalit dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit të ujërave të zeza. Ata nuk kërkojnë luks, por kushte minimale jetese dhe dinjitet për familjet e tyre.
“24 Maji” nuk kërkon privilegje, kërkon të mos jetojë më mes fekaleve!
