
Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të rënda ndaj organizatorëve të protestave, duke deklaruar se ajo që nisi si një tubim paqësor i studentëve, sot është "infektuar" dhe po keqpërdoret nga rrjete ekstremiste dhe financime të huaja.
Gjatë një deklarate për media, kreu i qeverisë theksoi se Policia e Shtetit disponon të dhëna konkrete se përshkallëzimi i dhunshëm i ditëve të fundit është përgatitur prej muajsh.
Kryeministri Edi Rama ka shkuar një hap më tej në akuzat e tij ndaj tubimeve, duke nxjerrë pamje të personave që sipas tij kanë ushtruar dhunë në protestat e fundit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri një ndarje të qartë mes studentëve dhe atyre që i cilësoi si elementë destabilizues, duke pretenduar se individët e shfaqur në video nuk kanë asnjë lidhje me kauzën apo protestën paqësore të të rinjve.
Ndonëse sqaroi se identiteti dhe fytyrat e këtyre personave janë mbuluar për të respektuar parashikimet ligjore, kryeministri konfirmoi se bëhet fjalë për individë të cilët tashmë janë identifikuar dhe ndaluar nga Policia e Shtetit.
Sipas Ramës, autoritetet kanë gjurmuar hyrjen e paligjshme të mjeteve të dhunës nëpër pikat doganore dhe kanë identifikuar celula të organizuara që synojnë të destabilizojnë vendin.
Një krim që u relativizua dhe u glorifikua në ekranet e mbrëmjeve mediatike. Shqipëria dhe shqiptarët u mbingarkuan me idenë e rreme se studentët, të pafajshëm, idealistë, të dalë në rrugë, u vunë nën dhunën policore. Një përmbysje dramatike, manipuluese e një realiteti tërësisht tjetër.
Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar, në Tiranë, në Europë e në Shqipëri. Në vendet ku ka ndodhur diçka e ngjashme, ku faktikisht ka pasur dy punonjës policie të plagosur për një protestues apo kalimtar të lënduar, dhe në gjithë vendet e tjera, raporti është ndryshe.
E përsëris, për ekranet e korruptuara do të ketë një kohë të dytë për të folur.
Sot jam këtu për të folur dhe ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët.
Qysh se nisi protesta paqësore masive e flakadanëve, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime dhe mund të jenë të pafundme, por qysh në krye të herës ka qenë një fakt që, në këtë valë të dytë dhe të dhunshme, është evidentuar në të gjithë përmasën e vet.
Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes së maskave dhe eksplozivëve përmes doganës janë në duart e Policisë së Shtetit.
Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA që në emër të neo komunizmit, anarkisë dhe anti kapitalizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës janë duart e policisë së shtetit.
Kryeministri nuk ka kursyer as Partinë Demokratike, duke e akuzuar atë si bashkëpunëtore dhe përfituese në këtë situatë.
Në duart e policisë së shtetit janë edhe pjesëmarrësit apo një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar nga krimi i organizuara dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë, ku qershia mbi tortë, ose më sakta glasa mbi tortë është PD, e cila dje mori dhe autorësinë e fillimit të dhunës tek ministria e Arsimit.



