
Situata në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan po i rikthehet normalitetit pasi shumica e studentëve dhe pedagogëve kanë zgjedhur të frekuentojnë auditorët, ndërkohë që një numër më i vogël vijon bojkotin për t'u bashkuar me protestat në Tiranë, raporton për “MCN live”, korrespondentja nga Elbasani, Entela Duka.
Sipas saj, marshimet lokale në qytet janë mbizotëruar kryesisht nga gjimnazistët, ndërsa prania e studentëve ka rënë ndjeshëm pas ditëve të para të protestave.
Në fakt fjalia që do ta përmblidhte situatën në Elbasan është "bojkot dhe mësim".
Pse pikërisht kështu? Sepse shoh që të paktën institucioni arsimor e ka lënë në dorë të lirë qoftë studentëve, por edhe pedagogëve, nëse duan të marrin pjesë në protestë apo duhet të frekuentojnë auditorët.Mund të them që më së shumti në Elbasan dominon kjo e dyta.
Pra studentë dhe pedagogë kanë zgjedhur t'i rikthehen normalitetit dhe të frekuentojnë në masën më të madhe auditorët në të gjitha fakultetet e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në qytetin e Elbasanit. Situata, thashë, po shkon drejt normalizimit dhe sot mësimi vijon normalisht në Universitetin e Elbasanit, të paktën për ata studentë dhe pedagogë të cilët kanë vendosur të mos bojkotojnë
.Ka edhe nga ata që kanë vendosur të bojkotojnë dhe t'u bashkohen kështu protestave që prej disa ditësh janë duke u zhvilluar në kryeqytet. Nëse në ditët e para u vu re në fakt një bojkot i studentëve të cilët vendosën jo të protestonin në Elbasan, por t'i bashkoheshin protestës në Tiranë, ditë pas dite duket se ky numër erdhi duke u reduktuar.
Edhe nga burimet e mia konfidenciale pranë Universitetit të Elbasanit më bëjnë me dije se në ditët e para ka pasur një grupim të madh studentësh, kryesisht studentë të përgatitur dhe me aftësi të mira edhe në mësime, pra kanë qenë studentë të një niveli relativisht të lartë, të cilët vendosën të bojkotojnë mësimin dhe t'i bashkoheshin kryeqytetit.
Ndërkohë që në ditët në vijim, më duket të paktën nga ajo çfarë unë konstatoj, por edhe nga burimet e mia, më së shumti ka pedagogë të cilët edhe pas deklaratës së bërë nga sindikata e pedagogëve vendosën t'i bashkohen studentëve në kryeqytet, ndërkohë që e njëjta gjë nuk mund të thuhet për studentët.
Sa i takon pyetjes tuaj nëse do të ketë një mobilizim për ditën e nesërme drejt kryeqytetit, gjasat janë që të ketë edhe studentë, po ashtu edhe pedagogë nga Universiteti i Elbasanit për t'iu bashkuar protestës së Tiranës, duke qenë se është edhe ditë e shtunë, ditë pushimi.



