A e tkurrën protestat turizmin? Duka: Tetori muaj i zbehtë. Dervishej: Ka shtim të rezervimeve me të drejtë anulimi

A e tkurrën protestat turizmin? Duka: Tetori muaj i zbehtë. Dervishej: Ka shtim të rezervimeve me të drejtë anulimi

Raporti periodik i INSTAT-it ka konkluduar se në muajin tetor fluksi i vizitorëve të huaj në vend ka rënë me 12.5% krahasuar me një vit më parë, një shifër që u lidh me shqetësimet e shkaktuara nga protestat. Për të zbërthyer çfarë ka ndodhur në realitet me tregun, në MCN Economy ishin dy ekspertët e turizmit, Ndriçim Duka dhe Luan Dervishej.

 

Sipas ekspertit Duka, tetori shënon fundin e sezonit turistik dhe ka gjithmonë një rënie natyrale, por ai pranon se protestat dhe klima e pasigurisë globale kanë ndikuar te turistët e momentit të fundit. Megjithatë, ai thekson se kontratat e këtij viti ishin të mbyllura që më herët dhe se rënia në statistika lidhet edhe me lëvizjet e diasporës dhe udhëtarët tranzit.

 

Nga ana tjetër, Dervishej theksoi se shifrat e turizmit nuk duhen trajtuar si luhatje të bursës, por kërkojnë një interpretim të detajuar. Ai vuri në dukje mospërputhjen mes rritjes së fluturimeve në Rinas dhe hyrjeve totale në kufi, si dhe mungesën e të dhënave mbi origjinën e vizitorëve në tre muajt e fundit. Sipas tij një tregues i rëndësishëm i pasigurisë në treg është sjellja e turistëve në platformat online, ku vihet re një prirje në rritje për rezervime fleksibël që mund të anulohen lehtësisht.

 

 

 

Ndriçim Duka:

 

Tetori është tradicionalisht një muaj i zbehtë për turizmin. Është periudha që normalisht ka mbaruar sezoni dhe besoj se kanë ndikuar edhe protestat padiskutim, sepse normalisht turistët tremben dhe kërkojnë siguri kur vijnë. Mendoj se ka ndikuar edhe periudha që ka qenë më shumë kohë trazirash në të gjithë botën, po ta shohësh konflikti në Lindjen e Mesme apo Evropa në protesta, prandaj njerëzit sprapsen duke qëndruar të sigurt në vendin e tyre. Ky si sezon ka qenë i mirë, nuk ka pasur rënie sepse rezervimet ishin bërë që në vitin 2025; ndoshta ne do të shohim pasoja për vitin 2027, sepse agjencitë tani fillojnë marrëveshjet e rezervimeve me hotelerinë. Për këtë vit anulime nuk ka pasur; mund të ketë pasur rezervime të fundit që, duke parë protestat, ndoshta kanë ndryshuar mendje për destinacionin. Kjo do të thotë një rënie jo tamam e turistëve, sepse mund të jetë edhe mosardhja e diasporës që ka bërë plane të tjera. Edhe diaspora, që janë motrat dhe vëllezërit tanë, hyjnë në statistika, por ne s'mund t'i quajmë shqiptarët tanë turistë; po ashtu ka edhe nga ata nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut që e përdorin vendin për tranzit. Mënyra se si INSTAT-i e bën anketën për të nxjerrë statistikat, nuk ma merr mendja se është kaq e saktë në përllogaritje. Mendoj se përqindja në rënie mund të jetë edhe më shumë, prandaj besoj se ata kanë bërë një sondazh shumë të shkurtër dhe një krahasim me vitet e tjera. Tetori është gjithmonë muaj i zbehtë, në nëntor besoj se do të kemi kërkesa.

 

Luan Dervishej

 

E para, siç e kam diskutuar vazhdimisht, statistikat e turizmit ndryshojnë. Dakord që media tërhiqet nga shifra të veçanta, si një rënie 10% për ta bërë lajm, por unë do ta trajtoja turizmin si një sektor që nuk mund ta humbasim lehtë si ato luhatjet e bursës. Turizmi duhet parë me më shumë kompleksitet dhe çdo lloj shifre ka nevojë për interpretim. Hyrjet në kufi janë të pafiltruara se çfarë ndodh me tranzitin, prandaj s'mund t'i marrim direkt pa interpretim. Mund të ketë disa arsye, por ne nuk kemi vrojtime të mirëfillta kur kemi luhatje të tilla; janë dy-tre elementë që mund të diskutohen: protestat mund të kenë ndikuar në një rudhje, kemi të bëjmë me fundin e sezonit, po ashtu duhen marrë parasysh edhe kushtet atmosferike. Çështja është e tillë që në tre muajt e fundit s'kemi marrë raportime në lidhje me origjinën e vizitorëve, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur: nga cili vend ka rënie, nga Kosova apo vende të tjera? Kemi dy të dhëna: Aeroporti i Rinasit ka një raportim të 8-9 mujorit me 20% rritje, ndërsa te agregatja e hyrjeve të paspecifikuara kemi një mesatare rritjeje 3%, çka do të thotë se ka nevojë për më shumë interpretim për të kuptuar shifrat. Një element është i rëndësishëm nëse flasim për sjelljen e tregut: në platformat online shihen rezervime me mundësi kancelimi, pra një lloj pasigurie se çfarë po ndodh, duke marrë parasysh në një nivel më të gjerë edhe Evropën, ku ka pasur aktivitete demonstrimesh apo luftërat, dhe ky është një faktor që ndikon.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy