Nga e hëna e kësaj jave, sistemi bankar shqiptar ka vënë në funksion sistemin IPSA (Instant Payment), përmes të cilit pagesat bankare kryhen brenda 10 sekondave, 24 orë në ditë, në çdo ditë të javës. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky sistem pritet t'u kursejë familjeve dhe bizneseve shqiptare rreth 400 milionë euro kosto transfertash.
Të ftuar në MCN Economy, eksperti i sistemeve të pagesave Dalip Bali dhe sipërmarrësi i shërbimeve online Arbër Kadia analizuan risitë që sjell ky sistem i ri pagesash.
Sipas ekspertit Dalip Bali, sistemi i bazuar te platforma europiane TIPS i jep fund pritjeve disa-ditore të transfertave dhe sjell shërbime të reja, si pagesat me numër telefoni apo kod QR, duke shmangur edhe gabimet e transfertave.
Mbi sistemin TIPS që Banka e Shqipërisë ka marrë nga Banka Italiane, mund të ndërtohen shërbime të tjera që do të ishin transfertat direkt me numër telefoni, që nuk ke nevojë më të mbash IBAN-in mend, dhe QR-i i standardizuar, ku klienti paguan direkt me aplikacionin. Po ndërtohet edhe shërbimi 'Verification of Payee', që do të thotë se përpara se ta dërgosh paranë, nëse shkruan numrin e telefonit të dikujt, do të dalë se kujt i përket, duke shmangur gabimet dhe proceset 'pending' që kushtojnë ekstra.
Eksperti theksoi se ndryshe nga SEPA që favorizoi më tepër bizneset, përfituesit kryesorë të sistemit IPSA do të jenë vetë qytetarët.
Për Instant Payment-in mendoj që do t'i shërbejë më shumë qytetarëve, për shkak të kostos së ulët. Të gjitha këto ndryshime janë për të shkuar tek ajo Shqipëria 'cashless' e 2030-ës. Duke qenë se këto transaksione kanë edhe një bazë që është falas, pa kosto, mendoj që përfituesit kryesorë do të jenë qytetarët, sepse do të marrin një mjet pagese të shpejtë në kontrollin e tyre për të kryer pagesa në çdo tregtar.
Nga ana tjetër, sipërmarrësi i shërbimeve online Arbër Kadia e cilësoi sistemin IPSA një hap jetik për tregtinë elektronike dhe bizneset e vogla, duke thënë se ai thyen monopolin e deritanishëm të institucioneve financiare dhe shkurton ndjeshëm kohën e transaksioneve.
Tregu deri tani i shërbimeve financiare në Shqipëri ka qenë në një lloj flluske ku funksiononte me kapitalizim të madh dhe pa nevojë për produkte ekstra. Duke hapur tregun ndaj aktorëve të rinj, jepet mundësia t'i bëjmë presion pozitiv që konsumatori final ai që ka paranë dhe ai që shet mallin të kenë akses më të shpejtë. Është thjesht një infrastrukturë më e mirë në vend që të marrësh rrugën për të vajtur në Kukës nga Puka, tani shkon drejtpërdrejt.
Sipas tij, eliminimi i vonesave bankare ndihmon drejtpërdrejt qarkullimin e kapitalit për sipërmarrjet dhe shmang bllokimin disajavor të fondeve kur një pagesë dështon.
Duke përfituar në kohë, ti mund të kesh një nevojë si biznes që një pagesë ta kesh në atë moment për të zgjidhur problemet e tjera. Në sistemin aktual, nëse dështon një pagesë, kthimi i saj mund të shkojë edhe tre-katër javë. Duke hequr këto barriera, ne i japim demokratizim pagesave si mundësi, qoftë përdoruesit, qoftë edhe tregtarit.
