Deklarata e Ramës për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e RMV-së, analisti Fejzi Hajdari: Shkupi duhej të ishte më vigjilent, nuk shoh zgjidhje deri në zgjedhjet e 2028-ës
Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama se Maqedonia e Veriut duhet të përfshijë në Kushtetutë edhe pakicën bullgare si rruga e vetme për të zhbllokuar veton e Sofjes drejt integrimit europian është komentuar nga analisti Fejzi Hajdari në MCN TV.
Hajdari u shpreh skeptik ndaj luhatjeve të qëndrimeve të politikanëve, duke theksuar se problemi i Shkupit me fqinjët është i hershëm dhe se aktualisht nuk sheh vullnet konkret nga qeveria maqedonase për ta zgjidhur ngërçin me Bullgarinë.
Duke komentuar ndryshimin e qasjes së kreut të qeverisë shqiptare, i cili më herët këmbëngulte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ecnin në një pako drejt Bashkimit Europian, Hajdari vuri në dukje se pavarësisht zhvillimeve politike, qëndrimi i Bullgarisë ka mbetur i palëkundur.
Ai tha se vonesat në procesin integrues janë pasojë e mungesës së vizionit të qeverive të Shkupit për të mbyllur mosmarrëveshjet historike me fqinjët
Ai insistonte më herët që të ishte në pako me Maqedoninë, pastaj u tërhoq, dhe tani e shoh se ka ndryshuar edhe qëndrimin e tij. Nuk jam i prirur shumë t'u besoj qëndrimeve të politikanëve të ulët, të cilët shpeshherë i ndryshojnë ato. Bullgaria prej një periudhe të gjatë insiston në këtë pikë dhe ishte pikërisht Mickoski ai që thoshte se do t'i dilte zot dhe do ta zgjidhte këtë problem, por nuk po bën përpjekje konkrete dhe serioze për ta zgjidhur. Bullgaria ka qenë gjithmonë e prerë; pavarësisht ndryshimit të qeverive, qëndrimi i saj përballë Maqedonisë nuk ka ndryshuar për këtë çështje. Mund të qëndrojë fakti se askush nuk i ka faj Maqedonisë që është me ndikim të vogël dhe problemet e lindura me grekët, bullgarët dhe serbët janë probleme të hershme. Megjithatë, mendoj se qeveritë maqedonase janë dashur të jenë shumë më vigjilente që ky problem të tejkalohej dhe të gjendej një zgjidhje, ashtu siç u gjet me Greqinë për çështjen e emrit. Maqedonia ka mundur të jetë kandidate e BE-së shumë më herët sesa Kroacia. Qeveritë maqedonase duhet të jenë vigjilente përballë problemit me Bullgarinë, por unë nuk shoh ndonjë disponim për ta zgjidhur atë, të paktën deri në zgjedhjet e prillit të vitit 2028.
