Një alarm për bombë ka ngritur në këmbë shërbimet e Policisë dhe strukturat e Antiterrorit në aeroportin e Rinasit mbrëmjen e sotme, pasi në bordin e një avioni që vinte nga Britania e Madhe u gjet një letër me mesazh kërcënues.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas. Shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë kanë ndërhyrë në pistë, duke mundësuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i imtësishëm i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Gjithashtu, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga efektivët e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues. Pas kontrolleve të kryera në avion, Policia bën me dije se nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.
