Drejtuesit e Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë vendosën të mërkurën të pezullojnë Partinë Progresive Serbe, të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Ky veprim vjen pasi partia serbe, e njohur si SNS, humbi zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2026, duke rrëzuar Vuçiç, udhëheqësin e saj de facto dhe presidentin e vendit për nëntë vjet.
Vendimi, do të duhet të ratifikohet nga Asambleja Politike e PPE-së më 7-8 dhjetor.
Pas kësaj, SNS, e cila ka statusin e anëtarit të asociuar sepse Serbia nuk është vend i Bashkimit Europian, do të ketë një vit për të zbatuar reformat e kërkuara nga familja politike.
Nëse nuk i plotëson kërkesat deri atëherë, rrezikon përjashtimin nga grupi, raporton Politico.
Reformat përfshijnë ndërprerjen e afrimit politik dhe lidhjeve me Presidentin rus Vladimir Putin dhe partinë e tij Rusia e Bashkuar, përafrimin me sanksionet e Bashkimit Europian kundër Moskës, distancimin e SNS-së nga qeveria kineze dhe ripërtëritjen e angazhimit të saj ndaj integrimit në BE.
PPE dëshiron që SNS-ja të ndalojë “lavdërimin” e kriminelit të luftës të dënuar të ndarë nga jeta Ratko Mladic.
SNS-së i është kërkuar të punojë më ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të angazhohet për forcimin e lirisë së medias dhe të sigurojë një tranzicion paqësor të pushtetit drejt partisë Lista e Studentëve, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare në fund të tetorit.
Që nga shtatori i vitit 2025, PPE ka kryer një “proces shqyrtimi” nëse SNS respekton vlerat themelore të familjes politike pas rënies së demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe shtypjes së protestuesve.
Udhëheqja e partisë serbe duhet të raportojë çdo muaj te PPE, e cila planifikon të dërgojë një mision vëzhgimi në Beograd në pranverën e vitit 2027.
