“Dosja 23” është koduar operacioni special i policisë dhe prokurorisë së Kosovës që çoi nëntë persona në pranga për akuza të rënda për krime lufte. Policia ka bastisur disa shtëpi dhe objekte në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për dyshime për krime lufte kundër popullsisë civile. Nëntë personat që kanë rënë në pranga dyshohen për ngjarjen e rëndë të asgjësimit të “grupit të intelektualëve” shqiptarë gjatë luftës çlirimtare 1998-1999.
Gjatë bastisjeve, Policia ka sekuestruar një sërë provash dhe materialesh që dyshohet se mund të jenë të rëndësishme për hetimin. Janë sekuestruar: 9 telefona celularë; 2 libreza ushtarake; 1 armë e gjatë; 1 pushkë gjuetie; municion; rreth 23 mijë euro para të gatshme; rreth 60 mijë dinarë serbë; si dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në dokumentimin e rastit.
Operacioni është zhvilluar me autorizim të Prokurorisë Speciale. Më 19 shtator u konfirmua, përmes analizës së ADN-së, se mbetjet mortore të tri viktimave të gjetura në varrezat masive në Zubin Potok, i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e cilësoi si “metodën më perfide të spastrimit etnik”.
“Po dëgjoj se Albin Kurti dhe njësitë e tij speciale kanë arrestuar sërish serbë, nëntë prej tyre, në komunën e Zubin Potokut, për krime të dyshuara lufte. Dhe e gjithë bota hesht. Do bëjnë sikur nuk dinë, sikur s’e dinë se bëhet fjalë për metodën më perfide dhe më të paskrupullt të spastrimit etnik.”
Në gusht të këtij viti, autoritetet kosovare kryen gërmime në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut ku zbuluan tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 personave. Kosova kërkon nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.



