Shfrytëzimi pa kriter i inerteve në lumenj dhe keqmenaxhimi i sipërfaqeve pyjore po çojnë drejt një katastrofe mjedisore dhe ekonomike në Shqipëri, ku shtrati i lumit Mat ka rënë me rreth 2 metra, duke vënë në rrezik infrastrukturën kritike dhe urat strategjike.
Për "MCN Live", eksperti i bujqësisë, Zef Gjonaj, ka lëshuar akuza të forta ndaj ndërmarrjeve private dhe pasivitetit të shtetit. Ai ka argumentuar se dëmtimi i shtretërve të lumenjve përmes marrjes kriminale të inerteve po shkatërron relievin natyror, ndërsa pyjet e lëna pas dore janë kthyer në vatra zjarri të rrezikshme.
Eksperti Gjonaj vuri në dukje se, ndonëse vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm natyror, mungesa e mirëmbajtjes përgjatë viteve e ka zhvlerësuar këtë pasuri kombëtare.
Deri në 60% e territorit tonë është e përbërë nga pyje dhe kullota, çka tregon se shoqëria jonë ka në dispozicion një territor jashtëzakonisht të begatë. Por, duhet thënë hapur se gjendja nuk është ajo që pritet, pasi ne i kemi dëmtuar rëndë pyjet tona duke i kthyer ato thjesht në shkurre. Një pyll i tillë nuk është kurrë produktiv nëse nuk mirëmbahet. Për më tepër, një pyll i degraduar në shkurre, po u përfshi nga flakët e zjarrit, nuk është aspak i lehtë që të shuhet. Ne në këto vite nuk kemi punuar siç duhet me pyjet tona; thjesht i kemi prerë ato pa kontroll dhe nuk i kemi mirëmbajtur. Lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i Vogël deri para pak vitesh kanë qenë në rrjedhje të plotë e të lirë natyrore.
Mirëpo, marrja e inerteve në mënyrë kriminale e ka prishur plotësisht relievin e tyre, duke bërë që lumi të dalë jashtë kontrollit në sipërfaqen e tokës. Lumi Mat historikisht ka pasur prurje të mëdha, ndërsa tani që është ndërtuar diga e re, ai nuk sjell më asnjë milimetër inerte në rrjedhën e poshtme. Mati ka dy hidrocentrale, atë të Shkopetit dhe të Ulëzës, dhe këto mbetje nuk vijojnë më në shtratin normal të lumit, por përfundojnë të bllokuara në digën e hidrocentralit dhe mbeten aty përgjithmonë. Kjo sjell një dëm katastrofik për ekonominë, pasi të pesë urat mbi këtë lumë janë dëmtuar rëndë për shkak se shtrati i poshtëm i Matit ka rënë me gati 2 metra.
Ky efekt negativ do të vijojë derisa të mbushen plotësisht digat e centralit, pasi baseni i tyre ka një jetëgjatësi prej 150 vjetësh para se rrjedhjet e inerteve të kalojnë sërish në mënyrë të lirë. Shteti duhet të vërë dorë me patjetër mbi ata që i kanë grumbulluar këto inerte nëpër rrugë e magazina, duke ndërhyrë me forcën e ligjit ndaj atyre ndërmarrjeve që e kanë marrë këtë material. Kjo është një pasuri e pastër publike dhe një pjesë e mirë e këtyre inerteve shkojnë sot për industrinë e ndërtimtarisë private. Prandaj, ligji duhet të funksionojë: ato inerte që sot gjenden stivë nëpër grumbuj duhet të kthehen detyrimisht aty ku janë marrë, në mënyrë që të rregullohet shtrati i lumit. Shteti ka detyrimin ligjor të ndërhyjë urgjentisht te ndërmarrjet që mbledhin inertet pa asnjë kriter.
