Momente paniku janë regjistruar mbrëmjen e së dielës në arenën më të madhe të mbyllur në Mbretërinë e Bashkuar, "Co-op Live" në Mançester, ku rreth 12,000 spektatorë u evakuuan me urgjencë pasi në turmë u lëshua një "substancë e panjohur".
Sipas mediave te huaja, ngjarja ndodhi gjatë koncertit të reperit të njohur amerikan, Don Toliver. Shërbimet e emergjencës u thirrën menjëherë pas raportimeve se disa persona në publik po shfaqnin efekte anësore, çka detyroi policinë e Mançesterit (Greater Manchester Police) të shpallte gjendjen e "incidentit madhor" në vendngjarje.
"Disa persona u trajtuan në vendngjarje dhe njëri është dërguar në spital deri në këto momente," deklaroi zyrtarja e Policisë së Mançesterit të Madh, Steph Parker, duke shtuar se forcat e rendit po punojnë intensivisht për të "kuptuar se çfarë ishte kjo substancë".
Shërbimi rajonal i ambulancës bëri me dije se ekipet mjekësore kontrolluan dhe trajtuan mbi 50 persona në vendngjarje, të cilët raportuan kryesisht "simptoma në sy dhe në rrugët e frymëmarrjes", ndërsa në ambientet e arenës u kryen edhe procedurat e "dekontaminimit".
Nga ana e saj, drejtuesit e arenës "Co-op Live", e cilësuar si salla më e madhe e argëtimit në vend, konfirmuan se po bashkëpunojnë ngushtë me policinë për të "identifikuar shkakun e incidentit".
Reperi amerikan Don Toliver, i njohur për bashkëpunimet e tij me emra si Travis Scott dhe Justin Bieber, ndodhet aktualisht në pjesën e dytë të turneut të tij botëror "Nitrous" dhe mbrëmjen e sotme pritet të mbajë koncertin e radhës në Londër.
