
Kaosi dhe tensionet e fundit të shënuara në Kuvend, ku deputetët e opozitës hodhën tymuese dhe flakadanë, janë pasuar nga kërkesa të ashpra të PS-së për marrjen e masave disiplinore ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Në një prononcim për edicionin e lajmeve në MCN tv, deputeti i PD-së, Sajmir Korreshi, ka hedhur poshtë rëndësinë e flakadanëve, duke vënë theksin te ajo që ai e quan "arrogancë e mbytëse" e parlamentit ndaj krizës sociale jashtë tij.
Ai theksoi se parlamenti po vazhdon të injorojë me vetëdije realitetin e vështirë me të cilin po përballen të rinjtë dhe familjet shqiptare.
Puna nuk është te flakadani, pasi ai nuk përbën ndonjë gjë të re.
Problemi i vërtetë është se çfarë po ndodh jashtë parlamentit, gjë për të cilën kjo mazhorancë as nuk dëshiron t'ia dijë.
Vazhdojnë me arrogancën e tyre të bëjnë të paditurin, duke mos parë as përplasjet dhe as dhunën që po ushtrohet ndaj studentëve.
Dikur thoshin se studentët janë tanët dhe na kanë votuar, ndërsa sot i kanë të gjithë kundër në shesh.
Nuk është luks të votosh për guvernatorin e Bankës, ndërkohë që ke me dhjetëra studentë nëpër burgje dhe me qindra të tjerë që nuk shtyjnë dot muajin e nuk mbushin dot barkun me bukë nga vështirësitë ekonomike.
Kjo arrogancë të mbyt. Kanë kaq vite në pushtet, i kanë mbushur mirë xhepat dhe nuk duan t'ia dinë për askënd.
Madje, ka nga ata që thonë në mëngjes: 'Shyqyr që ka rrëmujë që të vjedhim nga mëngjesi deri në darkë'.
Duke u ndalur te vijueshmëria e qëndresës qytetare, Korreshi u shpreh se situata do të ndryshojë kur protestat të bëhen 24-orëshe, ndërsa paralajmëroi një fund të vështirë për ekzekutivin aktual.
Kjo situatë do të zgjasë derisa të vendoset që qëndrimi në shesh të jetë 24 orë.
Ashtu si në ditët e fundit të regjimit të Ramiz Alisë me studentët, që në fund iku me vrap. Unë mendoj se fundi i kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance do të jetë shumë i egër.
Shpresoj vetëm që të mos jetë një fund ku shkatërrohet një shtet i tërë.
Ai nuk i kurseu as ironitë ndaj mënyrës se si mazhoranca po mbledh votat në sallë për projektligjet e saj.
Ata po i ngrenë deputetët edhe nga varri për vota.
Milva Ikonomi sot ishte me një këmbë në spital e një dorë në parlament; e merrnin me vigon dy-tre deputetë për të votuar.
Ndërsa Elisa Spiropali nga njëra anë bën sikur bërtet, e nga ana tjetër është e para që voton.
Fakti është se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike.
Kjo mazhorancë vazhdon të mburret me votat që vodhi dhe, në kundërshtim me raportet, miraton ligje që nuk mbështeten nga askush.
Fermerët i kanë kanalet pa pastruar dhe kanë tre vjet që nuk mbjellin më grurë sepse nuk nxjerrin dot kostot, pensionet janë mizerabël dhe taksat po rriten sërish.



