
Një ditë pasi gjykata la në fuqi vendimin për sekuestrimin e pasurive të tij, drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, bëri të ditur se për këtë çështje ka depozituar padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj SPAK-ut për tentativën e mbylljes së hetimeve ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Në një prononcim për edicionin e lajmeve në MCN tv, Malltezi deklaroi se gjyqtarja Gjoka ka qenë personazhi që kryeministri Edi Rama ka përdorur gjatë gjithë kohës për sulmet e tij politike ndaj opozitës.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme i kishte të gjitha të dhënat, por refuzoi të niste hetimet dhe tentoi ta mbyllte çështjen, derisa u detyrua nga vendimi i gjykatës që të kryente rreth 20 veprime hetimore të detyrueshme dhe të merrte deklarimin e tij vetëm në fund të afateve ligjore.
Fillimisht e nisi hetimin para dy vitesh, gjoja pa emër, ndërkohë që i kishte të qarta fare dhe donte ta vijonte sa më gjatë. Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu e vonoi gati një vit e gjysmë dhe në fund fare as raportin nuk e bëri publik.
Ndërkohë kemi interesante vetë institucionin e KLGJ-së. I njëjti person në KLGJ, sekretari i përgjithshëm i KLGJ-së, më 1 nëntor 2023 i jep avokatit të Berishës dokumentin që është shkarkuar Irena Gjoka nga Sali Berisha në '96-ën, dhe i njëjti person, tre javë më pas, në 21 nëntor 2023, gënjen deputetët duke i thënë që nuk kemi fare.
Mbi bazën e këtyre, pasi që përfundoi Prokuroria e Përgjithshme dosjen dhe e depozitoi vetë, akuza gjoja tentoi të mbyllte hetimin. Jo gjoja, po tentoi të mbyllte hetimin.
Ne e çuam në gjykatë pasi që SPAK-u e mbylli. E çuam në gjykatë dhe morëm vendim gjykate që e detyroi SPAK-un të bënte gati nja 15 apo 20 veprime hetimore të detyrueshme.
Të kemi parasysh, për shumë herë më pak se Irena Gjoka, janë me dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar, shumica e të cilëve janë ndërkohë që po shqyrtohen në Strasburg.
Për fat të mirë, edhe çështjen e Irena Gjokës ne e kemi çuar në Strasburg dhe ndërkohë që ne flasim, gjithashtu po shqyrtohet se si shteti shqiptar nuk ka standard të njëjtë, si për Irena Gjokën, që është monument korrupsioni, mbrohet nga shteti i Edi Ramës, si për gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë.
Malltezi e cilësoi këtë situatë si një keqpërdorim të skajshëm politik të sistemit të drejtësisë.
Pra kemi standarde dyfishe. Tentuan që ta mbyllin, por fatmirësisht gjykata i la këto detyra. Mbi bazë këtyre detyrave, një nga këto detyra ishte pyetja ime si kallëzues, dhe unë e tregova si kallëzues me çfarë unë kam vënë re dhe pata vënë re fillimisht.
E mendova që ishte për konflikt interesi, por në fakt ishte keqpërdorim politik ekstrem. Sepse po këtu unë kam parë, në të njëjtin libër që kemi nxjerrë, kemi dhe komunikim ekstraligjor mes Arben Krajës dhe Irena Gjokës.
Po të shikoni këtë dokumentin këtu, Arben Kraja e dinte që një ditë para që Irena Gjoka, datë 21, do të merrte vendim.
Pra, ka lënë të lirë numrin e vendimit, po e dinte datën e qartë sepse i kishte thënë. Pra, kemi të bëjmë me komunikime ekstraligjore mes prokurorit dhe gjyqtarit.
Pra, qartazi duket që ky ishte personazhi që Edi Rama përdorte për të gjitha sulmet e tij politike, e të gjitha me radhë. Gjithashtu prokurori tentoi të mbyllte këtë.
