
Një investim në infrastrukturën rrugore në lagjen “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë ka sjellë probleme për banorët, të cilët pretendojnë se punimet kanë bllokuar rrugën ekzistuese që lidhte dy anët e lagjes. Tashmë, për të shkuar në krahun tjetër, ata detyrohen të përshkojnë një itinerar që me makinë zgjat rreth 15 minuta.
Banorët i janë drejtuar emisionit “Xhadat”, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e kësaj problematike. Sipas tyre, rruga ka shërbyer prej shumë vitesh si lidhje mes dy zonave dhe është e domosdoshme për lëvizjen e përditshme të banorëve.
Bedri Kelmendi, 71 vjeç, tregon se kjo rrugë ka rreth 200 vjet që ekziston dhe se përmes saj banorët kanë komunikuar ndër vite me njëri-tjetrin. Ai shprehet se bllokimi i saj ua vështirëson jetën, pasi edhe për nevoja të përditshme, si blerja e ushqimeve apo vizitat te familjarët, duhet të bëjnë një rrugë shumë më të gjatë.
Sipas Kelmendit, në njërën anë të lagjes jetojnë rreth 300–400 familje, ndërsa në anën tjetër rreth 50 familje, të cilat tashmë përballen me vështirësi në lëvizje për shkak të ndërprerjes së kësaj lidhjeje.
Edhe banorë të tjerë shprehen se rruga ka qenë funksionale prej brezash. Ata kujtojnë se në të kaluarën, përmes saj, banorët transportonin edhe mallrat e tyre drejt pikave të grumbullimit.
Gjatë verifikimit në terren, gazetarët e “Xhadat” konstatuan se banorët vijojnë të përdorin mënyra alternative për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, përfshirë biçikletat dhe motorët. Një prej tyre kërkon ndërtimin e një mbikalimi, duke e konsideruar atë të domosdoshëm për të garantuar komunikimin mes dy anëve të lagjes.
Për të kuptuar vështirësinë që u është krijuar banorëve, ekipi i “Xhadat” përshkoi me automjet rrugën alternative. Itinerari zgjati rreth 15 minuta, kohë që mund të jetë edhe më e gjatë në rast të trafikut të rënduar në Fushë-Krujë.
Emisioni "Xhadat" iu drejtua edhe Bashkisë Krujë për të kërkuar një sqarim lidhur me projektin dhe zgjidhjen që parashikohet për banorët e mbetur pa lidhjen e mëparshme rrugore. Megjithatë, kryetari i Bashkisë, Artur Bushi, nuk u gjet në zyrë. Gazetarët paraqitën kërkesë për informacion për të marrë një përgjigje zyrtare mbi problematikën.
Banorët kërkojnë që investimi të mos i lërë të izoluar dhe që të gjendet një zgjidhje për të rikthyer komunikimin mes dy anëve të lagjes. Mbetet për t’u sqaruar nga Bashkia Krujë nëse projekti parashikon një kalim alternativ, mbikalim apo një ndërhyrje tjetër që garanton lëvizjen e sigurt të qytetarëve.



