Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar për herë të dytë brenda ditës së sotme, pas komenteve dhe kritikave të shumta të drejtuara ndaj tij në rrjetet sociale për shkak të votës pro Reformës Territoriale.
Në këtë reagim, Braçe thekson se sulmet ndaj tij janë të mirëorganizuara dhe të paguara, duke akuzuar një personazh që e quan "oligarku i vetëm në politikë", pa ia përmendur emrin.
Sipas deputetit, profilet që e sulmojnë janë robotë të paemër dhe pa fytyrë.
Braçe bëri me dije se ka dorëzuar më herët dokumente pranë agjencive shtetërore që tregojnë zanafillën e dyshimtë të pasurisë së këtij politikani, por sipas tij, institucionet nuk kanë vepruar.
"Patronazhistët e oligarkut në sulm!
E prisja, ka dy ditë që e bën; jo vetëm ndaj meje, por ndaj cilitdo të gjalli që komenton këtu. Shihini; janë pa fytyrë, pa emra, pa postime, me fare pak ndjekës apo të ndjekur prej tyre. Nuk ekzistojnë!
Janë robotët e këllirës më të madhe që ka politika sot; është oligarku i vetëm në politikë që paguan patronazhistë në territor e patronazhistë në rrjet! Nëse ata në territor i ka banditë të dhunshëm, këta në rrjet i ka eunukë të dukshëm.
Jam marrë unë me këta. Edhe me këtë oligarkun jam marre. Paratë që e bënë të tillë, oligark, janë në tre cikle:
• Cikli i parë i parave të tij vjen erë gjak. Janë mundi e sakrifica e djemve e vajzave të shfrytëzuar barbarisht këtu, në infrastrukturat e tij. Ka fituar pafund ai prej tyre, por të shfrytëzuarit nuk marrin as sa ç'marrin mësuesit sot si rrogë; ai nuk i paguan asgjë këtij vendi, transferon jashtë paratë e gjakut të të shfrytëzuarve këtu.
• Cikli i dytë i parave të tij vjen erë miell, është ai mielli i ndyrë që masakron e vret djem e vajza edhe këtu; janë kushërinj të tij ata që kanë bërë drogën në Gjermani e që këtu ishin punonjës politikë të tij.
• Cikli i tretë i parave të tij kanë erën e spekulimit: shitblerje fiktive, fryrje fiktivisht të vlerave, pasuri që zmadhohet prej tyre.
Ja kam dorëzuar herët unë letrat e tyre agjencive të kësaj qeverie; ja bëjnë muuu; nuk e kam kuptuar kurrë pse e kanë falur. Si thoni? Pse e kanë falur?"



