Sipërmarrësi dhe aksioneri i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Behgjet Pacolli, ka lëshuar akuza ndaj ortakut të tij, Valon Ademi duke e akuzuar për vjedhjen e dhjetëra miliona eurove, falsifikim faturash dhe kapje të institucioneve të drejtësisë.
Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, Pacolli bën me dije se pas rikthimit të administrimit të rregullt të aeroportit nga kompania e tij Mabco që zotëron 98% të kuotave, dokumentet e gjetura në arkivat e VIA-s po nxjerrin në dritë një skemë të mirëfilltë plaçkitjeje.
Për rreth një vit, Valon Ademi u vetëshpall publikisht si ‘mburojë dhe hero i interesit kombëtar’, duke bërë çmos që të merrte nën administrim Aeroportin e Vlorës. Ai veproi me vetëgjyqësi, i mbështetur nga njerëz me ndikim që përdorën pushtetin institucional për të mundësuar këtë. Tani që aeroporti po administrohet në mënyrë të rregullt dhe të civilizuar, dokumentet e lëna pas po nxjerrin në dritë një realitet krejt tjetër nga ai që ai paraqiste publikisht.
Sipas tij, Valon Ademi nuk ka investuar asnjë qindarkë, por ka përvetësuar pa dijeninë dhe lejen e aksionerit kryesor dhjetëra miliona euro, të cilat i ka kaluar te kompania e tij 2A.
E vërteta është se Valon Ademi ka grabitur nëpërmes VIA-s para të Mabco-s mbi 40 milionë EUR të identifikuara deri më tani dhe mund të dalin edhe më shumë. Ai nuk është ndalur aty, ai ka falsifikuar edhe fatura me të cilat ka kërkuar urdhër përmbarimor mbi 16.5 milionë EUR gjithmonë për shoqërinë e tij 2A dhe ‘patrioti’ ka lënë mbrapa llogaritë e bllokuara. Ai inkasoi, me vetëgjyqësi, pa dijeni dhe lejen e Mabco-s, pronarin e 98% të kuotave, mbi 42 milionë euro nga paratë CASH që Mabco kishte injektuar si kapital dhe mbi 28 milionë euro nga kredia e garantuar me kolateralet e Mabco-s. Ai, këto mjete i grabiti për të paguar faturat e fryera në kompaninë e tij 2A, pa investuar asnjë qindarkë të tij.
Më tej, Pacolli akuzon se në bashkëpunim me ish-administratorin Valon Lluka, kostoja e punimeve në pistën e aeroportit u fry artificialisht me dhjetëra miliona euro, ndërsa përmend edhe emrat e drejtuesve që sipas tij u emëruan ilegalisht për të firmosur situacione fiktive Vegim Hoxha, Bujar Ejupi dhe inxhinieri Nebi Luzha.
Më herët, Valon Ademi kishte shfrytëzuar Valon Llukën për të fryrë artificialisht çmimin e punimeve në pistë, e cila ishte parashikuar në rreth 34 milionë EUR, sipas dosjes zyrtare të tenderit, dhe e çuan në favor të Valon Ademit deri në 79.7 milionë EUR. Po, e rritën artificialisht çmimin sipas dëshirës dhe apetiteve të tyre për 45.7 milionë EUR! ‘Investim’ thoshte, kjo nuk quhet ndryshe përveç se plaçkitje.
Në reagimin e tij, Pacolli përmend me emra konkretë edhe gjyqtarët që sipas tij mundësuan privimin e Mabco-s nga kontrolli i aeroportit përmes vendimeve të marra në dhoma këshillimi dhe pa praninë e palëve, vendime të cilat thotë se u rrëzuan më pas nga Gjykata e Lartë.
Duke përdorur dhunën, arrogancën dhe njerëzit e fortë të institucioneve privuan Mabco-n, ortaku që zotëron 98% të kuotave, nga kontrolli dhe administrimi i VIA-s, dhe këtë ua mundësuan gjyqtarët Fatmir Ndreu, Mariana Shegani, Alma Kolgjoka, Ornela Naqellari, Marsela Dervishi dhe Miranda Nakaj. Vendimmarrjen për deprivimin e Mabco-s e merrnin në dhoma këshillimi, pa praninë e Mabco-s, pa e respektuar parimin e kontradiktorialitetit, mirëpo fatmirësisht Gjykata e Lartë e Shqipërisë ua dha një goditje të fuqishme padrejtësive.
Pacolli paralajmëron përballje me drejtësinë pas përfundimit të auditimit.
Pyetja ngelet: dëmet që janë shkaktuar, kush do t’i kompensojë? Auditimi tekniko-financiar është duke nxjerrë në pah të gjitha, si dhe planin mashtrues të Valon Llukës që kishte kurdisur që nga fillimi i vitit 2022, që synonte të kulmonte në fillim të vitit 2025. Askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
