
Kryedemokrati Sali Berisha akuzon Kryeministrin Edi Rama se kërkon gjak dhe viktima dhe se po e çon vendin drejt një konflikti civil.
Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme, ai tha se Tirana përjetoi sot ditën e dhunës dhe terrorit më të egër shtetëror ndaj studentëve të rinj dhe qytetarëve, në revoltën e tyre kundër narkoshtetit dhe kundër padrinos Edi Ramës.
Sot qytetarët dhe të rinjtë e Tiranës, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ishin në një mosbindje të plotë civile. Protestuesit, të rinj, të reja, burra, gra, u përballën si luanë me breshëritë e plumbave të vrasësve shtetërorë, me tonelatat e gazit dhe helmeve drejt tyre, por triumfuan. Tirana, kryeqyteti, nuk ka qenë kurrë më shumë se sot në duart e tyre.
Janë dhjetëra e dhjetëra të plagosur nga plumba gome me fuqi vdekjeprurëse, të plagosur në kokë, të plagosur në gjoks, të plagosur në krah dhe kudo. Kurrë ndonjëherë, siç kanë përdorur sot narkobanditët me uniformë breshëri të pandërprera plumbash gome nuk janë përdorur më parë. Edi Rama kërkon gjak. Edi Rama kërkon viktima.
Edi Rama i zhytur në krimet më të shëmtuara, në vend të dorëheqjes, preferon gjakderdhjen. Në vend të zgjidhjes politike, preferon konfliktin civil. Unë i them Edi Ramës dhe një herë, jep dorëheqjen urgjentisht, mos ço Shqipërinë drejt një konflikti civil, sepse do të jesh ti viktima më kryesore e tij.
Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes të denjë për një vend anëtar të NATO-s, për një vend me aspirata të forta për integrimin europian. Jep dorëheqjen, në emër të ëndrrave, idealeve dhe të ardhmes së shqiptarëve, ndërtues i narkoshtetit më të konsoliduar në Europë dhe në botë. Jep dorëheqjen, mos u kthe në genin e etërve të tu mizorë, sepse ndëshkimi do të jetë i madh për ty. Njofto një minutë e më parë dorëheqjen.



