Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Fierit, duke sjellë plagosjen e një personi dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 në aksin rrugor pranë Spitalit Memorial, ku dy automjete janë përplasur fort me njëra-tjetrën.
Në aksident janë përfshirë një automjet tip "Audi", i cili drejtohej nga shtetasi Gabriel Çuni, dhe një automjet tip "Benz", në timonin e të cilit ndodhej shtetasi Alfred Sinani.
Si pasojë e forcës së goditjes, ka mbetur i lënduar shtetasi që udhëtonte si pasagjer në automjetin tip "Audi".
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burimet bëjnë me dije se fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor.
Efektivët kanë nisur kryerjen e ekspertizës në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të sakta dhe përgjegjësisë së drejtuesve të mjeteve në këtë përplasje.



