
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal që lidhet me deputeten socialiste Elisa Spiropali dhe familjarët e saj, mbi dyshimet për kryerjen e gjashtë veprave penale.
Lidhur me këtë zhvillim, avokati Kujtim Cakrani, për “MCNlive”, e analizoi rastin në dy rrafshe, nga njëra anë fakti se akuzat ndaj saj dhe rrethit të saj familjar datojnë prej vitesh, dhe nga ana tjetër kostoja politike që paguhet në momentin kur del kundër vijës së partisë.
Pavarësisht se ne sot zonjën Spiropali e trajtojmë si viktimë të një lufte të brendshme politike, duhet të kujtojmë se ajo ka qenë objekt sulmesh nga opozita që në fillimet e saj si Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.
Edhe atëherë ka pasur arrestime, zëdhënësja e saj dhe doganierë të tjerë në rrethe janë marrë me masa sigurie e janë gjykuar.
Duke qenë se kemi mungesën e një kallëzuesi me emër dhe mbiemër, ngjashëm me rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kallëzuesit anonim “Nesti Angoni”, megjithatë kjo nuk e pengon prokurorinë të kryejë verifikimet ligjore.
Nuk ekziston ajo drejtësi absolutisht e pavarur siç e mendojnë shqiptarët, sepse ka segmente të caktuara që kapen nga politika.
Pse jo, edhe këtë moment mund ta quajmë një shtytje nga politika që prokuroria të vazhdojë e të thellohet në verifikime.
Megjithatë, unë nuk e shikoj vetëm politike, por edhe procedurale, sepse një dosje që të pushohet nga SPAK-u duhet të kalojë në gjykatë dhe gjyqtari e kthen mbrapsht nëse nuk janë kryer veprimet e duhura.
Cakrani kujtoi se emri i Spiropalit dhe i bashkëshortit të saj janë lakuar vazhdimisht gjatë karrierës së saj si ministre dhe kryetare Kuvendi, duke veçuar tenderat e matësve të ujit, ndaj hetimi pasuror është një hap normal procedural.
Bashkëshorti i saj dhe familjarët jo pak herë janë përfolur. Po ju sjell në vëmendje tenderat për matësit e ujit, ku është akuzuar në atë kohë bashkëshorti i zonjës Spiropali.
Çdokush nga familjarët mund të ketë një biznes dhe padyshim do të verifikohet nëse biznesi apo pasuria e tyre është shtuar në kohën kur ajo ka ushtruar funksionet si ministre, deputete apo kryetare Kuvendi.
Deri këtu, ana procedurale e prokurorisë është në rregull.
Avokati theksoi se ngjashëm me rastin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, kur një zyrtar i lartë hyn në konflikt me partinë, hapen dosjet e vjetra.
Pastaj, nëse do t’i atribuohet një vepër penale që mund të jetë e sforcuar, do ta shohim më tej se sa ka ndërhyrë politika.
Prandaj them që zonja Spiropali nuk është aq e pastër, aq e kristaltë, sa sot po bën rolin e viktimës.
Ashtu ka ndodhur edhe me zotin Ahmetaj, këto janë kostot politike kur del kundërshtar me partinë.
