Një efektiv policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në qytetin Oviedo, në veri të Spanjës.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi të martën në mëngjes, pasi policia mbërriti në vendngjarje pas raportimeve për një konflikt mes fqinjëve, gjatë të cilit një grua ishte qëlluar me armë zjarri.
Gjatë kontrollit të zonës, efektivët gjetën një çantë shpine të dyshimtë, ku dukej një dritë që pulsonte. Për këtë arsye, në vendngjarje u thirrën njësia e çaktivizimit të eksplozivëve dhe ajo kinologjike.
Sipas zëdhënësit të policisë, Pedro Aguado, shpërthimi ndodhi në momentin kur çanta po zhvendosej jashtë, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve.
Si pasojë, humbi jetën një efektiv i njësisë kinologjike, ndërsa një punonjës i njësisë antieksploziv mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në spital.



