Përballë një ndryshimi në dukje të qasjes së amerikanëve ndaj luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, në ditën e dytë të takimeve liderët e Bashkimit Europian të mbledhur në Bruksel kanë rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e unionit për Ukrainën. Sipas Presidentit të Këshilit Evropian Antonio Kosta, ky nuk është momenti që BE të tërhiqet nga mbështetja për Zelenskin.
“Mesazhi ynë për Presidentin Zelensky është shumë i thjeshtë. Mbështetja e Bashkimit Evropian për Ukrainën mbetet po aq e fortë sa gjithmonë. Nuk është koha për të tërhequr mbështetjen për Ukrainën. I dashur Volodimir, mund të mbështetesh tek ne jo vetëm për të të mbështetur në luftë, por më e rëndësishmja për të ardhmen tënde si anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Costa.
Edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ndërsa ritheksoi mbështetjen për Ukrainën, kritikoi Rusinë për mosrespektimin e marrëveshjes së armëpushimit energjitik të ndërmjetësuar nga SHBA.
“Ne e mbështetëm armëpushimin energjetik të Presidentit Trump, por kemi parë që Rusia nuk e respektoi atë në asnjë moment të vetëm. Rusia po përpiqet me çdo kusht për të shkatërruar infrastrukturën e energjisë dhe ujit, por ne qëndrojmë në anën tuaj. Do t’ju mbështesim”, tha Von der Leyen.



