Presidentja Vjosa Osmani i ka thirrur kryetarët e partive politike sot në një takim teksa Kosova vazhdon përpjekjet për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Në takimin që nis në orën 12:00 Osmani do të kërkojë nga liderët e partive politike që
të deklarohen nëse i kanë numrat për formimin e qeverisë së re.
Por, bazuar në deklaratat e deritashme, asnjë subjekt politik nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në Kuvend. Për pasojë, opsion i vetëm mbeten zgjedhjet e parakohshme.
Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për sot liderët e partive politike për të diskutuar rrugën përpara, pas dështimit të mandatarit të parë për ta formuar qeverinë.
Ftesa e Osmanit për këtë takim, katër ditë pas dështimit për formimin e qeverisë, është konsideruar e vonuar nga Vlora Çitaku, e cila është nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike (PDK).
Megjithëkëtë, ajo ka thënë se në diskutimet me presidenten do të konfirmohet qëndrimi i partisë se duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Kundër zgjedhjeve nuk është deklaruar as nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu. Por, ajo ka theksuar se qëndrimi përfundimtar do të prezantohet para presidentes.
Pas dështimit të formimit të qeverisë në seancën e 26 tetorit, është në diskrecion të presidentes që t’ia ofrojë mandatarin cilësdo parti që e dëshmon shumicën. Por, meqë asnjë kamp politik nuk ka siguruar koalicione, opsion mbeten zgjedhjet e parakohshme.
Sipas Kushtetutës, në rrethanë të tillë, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh.



