Një hetim rreth dyvjeçar i Prokurorisë Speciale të Kosovës për krime të dyshuara lufte ka çuar në arrestimin e tre personave dhe në nisjen e gërmimeve në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohet se mund të ndodhet një varrezë masive nga lufta e viteve 1998-1999.
Në fshatin Kalludër i Vogël, në zonën malore të Zubin Potokut, më 28 korrik nisën gërmimet pas dyshimeve për praninë e mbetjeve mortore.
Gjatë punimeve, autoritetet konfirmuan zbulimin e mbetjeve me origjinë njerëzore, ndërsa procesi i identifikimit është në vijim dhe do të përcaktohet përmes analizave forenzike dhe ADN-së.
Dyshimet fillestare lidhen me mundësinë që mbetjet t'u përkasin një grupi shqiptarësh të zhdukur me forcë gjatë luftës, i njohur si "grupi i intelektualëve", ku përfshiheshin mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë, të zhdukur në prill të vitit 1999.
Megjithatë, autoritetet kanë bërë thirrje për të shmangur spekulimet deri në përfundimin e analizave.
Pak ditë para nisjes së gërmimeve, Policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, ndërsa më 2 gusht u arrestua edhe një person tjetër në lidhje me të njëjtin hetim.
Të dyshuarit ndodhen në paraburgim, ndërsa Prokuroria nuk ka bërë publike detaje të plota mbi rolin e secilit prej tyre.
Ndërkohë, autoritetet kanë identifikuar edhe një lokacion tjetër në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Për këtë vend pritet autorizimi i gjykatës për nisjen e gërmimeve.
Hetimet kanë marrë një zhvillim të ri edhe në Serbi, ku një shtetas i Kosovës nga Istogu është arrestuar nën dyshimin për spiunazh.
Sipas disa burimeve, arrestimi mund të lidhet me informacionet që kanë ndihmuar në identifikimin e lokacionit të gërmimeve, por autoritetet serbe nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme.
Rasti ka shkaktuar reagime të ndryshme politike.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe hapjen e arkivave shtetërore e ushtarake të Serbisë, ndërsa Lista Serbe ka kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të operacioneve hetimore, duke i cilësuar ato si presion ndaj komunitetit serb në veri.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.579 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur nga lufta e Kosovës e viteve 1998-1999.



