Deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për Kosovën kanë rikthyer në vëmendje retorikën nacionaliste të Beogradit, në një kohë kur rajoni synon afrimin me Bashkimin Evropian dhe mbylljen e kapitujve të konflikteve të së kaluarës.
Lidhur me këto zhvillime, analisti Arben Dashevci, për MCN TV i cilësoi deklaratat e Vuçiç si një përpjekje për konsum të brendshëm politik dhe një pengesë për stabilitetin në Ballkan.
Duke komentuar deklaratën e presidentit serb se “Kosova është e jona dhe duhet mbrojtur”, Dashevci thotë se kjo retorikë nuk është e re dhe është përdorur vazhdimisht nga udhëheqja serbe sa herë që ka pasur nevojë për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.
Kjo është një retorikë që Vuçiç e përdor vazhdimisht, siç e ka bërë edhe në të kaluarën. Sa herë që i nevojiten zgjedhje të brendshme politike apo kur përballet me probleme të brendshme, ai tenton ta zhvendosë vëmendjen e opinionit publik drejt Kosovës. Mendoj se Vuçiç e ka të qartë se përmes kësaj retorike synon të ruajë ndikimin e tij politik dhe të qëndrojë në këtë establishment të kontaminuar. Këto deklarata bëhen për qëllime të brendshme politike dhe nuk kanë të bëjnë me një qasje konstruktive për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Sipas tij, një gjuhë e tillë politike është e papranueshme në një periudhë kur vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë integrimin evropian dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve.
Kur të gjitha vendet e Ballkanit po tentojnë të mbyllin kapitujt e së kaluarës dhe të ecin drejt Bashkimit Evropian, përdorimi i këtyre retorikave nacionaliste është një hap prapa. Askush nuk duhet të luajë me fjalë që nxisin tensione dhe pasiguri. Kosova është shtet i pavarur që prej 17 shkurtit 2008 dhe ky realitet duhet të respektohet.
Duke folur për reagimet e komunitetit ndërkombëtar ndaj deklaratave të fundit nga Beogradi, Dashevci thotë se ka pasur reagime nga institucionet evropiane dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, por sipas tij, përgjigjja duhet të jetë më e shpejtë dhe më e ashpër.
Reagimet kanë ardhur, si nga zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian dhe shtete të ndryshme që kanë mbajtur qëndrime të qarta. Ajo që është më e rëndësishme është se në këto reagime është theksuar se deklaratat e tilla janë të papranueshme. Ne përballemi ende me pasojat e luftës, plagët nuk janë shëruar dhe retorika që rikthen gjuhën e konfliktit duhet të ndalet.
Sipas Dashevcit, Bashkimi Evropian duhet të ketë një qasje më të vendosur ndaj Beogradit.
Mendoj se masat dhe qëndrimet e BE-së duhet të jenë të menjëhershme dhe shumë më të ashpra. Nuk mund të tolerohet një establishment që vazhdon me një retorikë të tillë, sepse kjo është e papranueshme jo vetëm për Ballkanin, por edhe për qytetarët e Kosovës. Ky establishment vazhdon të mbajë elemente të trashëgimisë së politikave të kohës së Millosheviçit.
Ai shton se institucionet e Kosovës duhet ta përdorin këtë situatë për të kërkuar një reagim më të koordinuar ndërkombëtar.
Kosova ka reaguar, por mendoj se kjo retorikë duhet të shërbejë si një sinjal për të gjitha organet vendimmarrëse në Kosovë. Nuk mund të tolerohen deklarata që cenojnë paqen dhe sigurinë në rajon.
Sa i përket situatës së sigurisë dhe mundësisë së një skenari të ngjashëm me sulmin në Banjskë, analisti vlerëson se institucionet e sigurisë në Kosovë janë më të përgatitura, por situata mbetet e ndjeshme.
Institucionet e sigurisë në Kosovë funksionojnë në mënyrë të shkëlqyeshme. Pas rastit të Banjskës ka pasur një konsolidim të mëtejshëm dhe një bashkëpunim edhe më të madh me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, duhet të kuptojmë se situata në të cilën jetojmë është një situatë e qetë, por njëkohësisht e brishtë.



