Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme


Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri, Kosova pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme, të cilat, sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh.

 

Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjedhin presidentin e ri, por partitë opozitare bojkotuan seancat, pasi negociatat me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dështuan dhe nuk u arrit marrëveshje.

 

Më 27 prill, LVV tërhoqi dy kandidatët fillestarë, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun. Rreth një orë më vonë, ajo propozoi dy emra të rinj: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

 

Mes akuzave për “puç kushtetues”, për shkak të zhvillimit të një rundi votimesh për kandidatët e rinj, përplasjet mes LVV-së dhe opozitës vazhduan edhe më 28 prill. Opozita i kundërshtoi kandidaturat dhe nuk mori pjesë në asnjë seancë, as më 27 e as më 28 prill.

 

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i kërkoi Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të siguronte 15 nënshkrime dhe të propozonte një kandidat për president, përballë kandidates së tij, Feride Rushiti. Ai tha se do t’i plotësonte nënshkrimet e nevojshme, pasi kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, ishte e gatshme të tërhiqej.

 

LDK deklaroi se i kishte 15 nënshkrime, por pa zbuluar emrin e kandidatit, duke akuzuar Kurtin se po kërkonte një kundërkandidat vetëm për të siguruar kuorumin dhe për të zgjedhur Rushitin.

 

Kurti tha se kishte bërë përpjekje për marrëveshje me opozitën, por pa sukses. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa u kritikua nga LVV për mungesë transparence.

 

Nga ana tjetër, LDK kundërshtoi idenë që një parti e vetme të kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

 

Kurti deklaroi se i kishte ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta u refuzua. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi joserioze, duke theksuar se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.

 

Më pas, Kurti u kërkoi PDK-së dhe LDK-së të propozonin tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por edhe kjo ide u refuzua nga opozita si e papranueshme.

 

Afati i 28 prillit rrjedh nga zhvillimet e mëhershme: më 5 mars, LVV kishte nisur seancën për votimin e Konjufcës dhe Mulhaxha-Kollçakut, por ajo u ndërpre për mungesë kuorumi. 

Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli dekret për zgjedhje të reja, vendim që u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

 

Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët kishin 34 ditë afat – deri më 28 prill – për të zgjedhur pasuesin e Osmanit.

 

Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill, ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu mori detyrën e ushtrueses së presidentit, sipas Kushtetutës.

 

Ndërkohë, takimet e Kurtit me liderët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, nuk sollën marrëveshje.

 

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, por për zhvillimin e seancës nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy