Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takimin e parë lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Gjykata Kushtetuese vendosi më 25 mars që Presidenti të zgjidhet brenda këtij afati, duke shpallur pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Megjithatë, në takimin e sotëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk është arritur konsensus për këtë çështje.
Pas takimit, Kurti deklaroi se nuk ka zhvillime të reja, por theksoi se përmes bisedimeve dhe takimeve të vazhdueshme mund të arrihet një marrëveshje.
Ndodhemi tani ku ndodhemi, unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Vetëm se atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhej e re në anën tjetër më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo nganjëherë siç po bëhen në institucionet tona në orën e fundit.
Në të njëjtën linjë, Abdixhiku u shpreh se nuk është arritur dakordësi, por se përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje do të vazhdojnë.
Nuk kemi ndonjë lëvizje të re. Takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Do të takoj edhe liderë të tjerë politikë dhe përmes takimeve transparente po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje konsensuale.
Po përpiqemi për zgjidhje përderisa jemi në takime. Në momentin që nuk ka takime, atëherë kuptojeni se zgjedhjet janë të pashmangshme.
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje disponon 66 deputetë, 14 më pak se numri i nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit në dy rundet e para të votimit.
Partitë politike kanë afat deri më 28 prill për të zgjedhur Presidentin e ri.
Në të kundërt, nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.



