
Kosova po hyn në një javë vendimtare për zgjidhjen e krizës politike, me fokusin te vendimi i shumëpritur i Gjykatës Kushtetuese.
Kriza lidhet me pamundësinë e Kuvendit për t’u konstituuar për muaj të tërë pas zgjedhjeve, duke krijuar një situatë bllokimi institucional.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur një afat të përkohshëm deri më 8 gusht për të shqyrtuar kërkesat e paraqitura nga partitë politike, ndërkohë që nga data 27 korrik ka pezulluar çdo veprim apo vendimmarrje nga deputetët, përtej afatit 30-ditor që parashikohet për konstituimin e Kuvendit.
Në vendimin paraprak, Gjykata ka paralajmëruar se çdo veprim institucional pas datës 26 korrik mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kyçe të shtetit.
Partitë politike janë të ndara për zgjidhjen. PDK i është drejtuar Gjykatës për të kontestuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për ngritjen e një komisioni për votim të fshehtë dhe procedurat që pasuan.
LDK, nga ana tjetër, ka kërkuar sqarime për rregullsinë kushtetuese të vazhdimit të seancës konstituive nga data 29 qershor, duke e konsideruar këtë si të kundërligjshme dhe në kundërshtim me aktgjykimin e mëparshëm të Kushtetueses.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ka deklaruar se afati 30-ditor nuk ka nisur fare të rrjedhë, pasi sipas tij, nuk ka pasur votim real.
Albulena Haxhiu, kandidate për kryetare Kuvendi nga Vetëvendosje, ka thënë se zgjedhjet janë opsioni i vetëm realist për të dalë nga kjo situatë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet brenda 8 gushtit, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi ecurinë e proceseve demokratike dhe stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës.



