Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si presidente e Kosovës ishte një vendim i qëlluar i kryeministrit Albin Kurti, por kandidatura e saj, sipas drejtorit të Institutit të Studimeve Europiane Globale, Jeton Halimi, duhej të ishte propozuar dhe votuar shumë më herët.
Në MCN TV, Halimi e vlerësoi figurën e Shiroka-Pulës, duke theksuar eksperiencën e saj akademike dhe politike, ndërsa e konsideroi zgjedhjen e saj si një mënyrë për t’i dhënë fund sagës së gjatë politike për zgjedhjen e presidentit.
Zonja Shiroka ka qenë në postin e fundit në krye të Akademisë së Shkencave, është profesoreshë, ka qenë ministre dhe mendoj se i ka bërë nder edhe Kosovës duke hequr atë sagë, por mendoj se Kosova është dashur që më herët të gjente një kandidate të tillë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë dhe tani shteti duhet të vijojë me punët e mëtejshme, duke vijuar bisedimet me Serbinë dhe duke bërë përpjekjet maksimale edhe për krerët e UÇK-së, për një mbrojtje sa më të mirë të tyre.
Sipas tij, mënyra dhe momenti në të cilin u arrit marrëveshja për kandidaturën e Shiroka-Pulës tregojnë se kryeministri Kurti ka bërë një zgjedhje të përshtatshme për kapërcimin e krizës politike.
Besoj se bisedimet në orët e vona dhe daljet e Kurtit në intervista treguan se u arrit një marrëveshje për propozimin e një kandidateje potenciale dhe besoj se ishte një goditje e qëlluar e Kurtit, duke zgjedhur kandidaturën e përshtatshme për të kaluar krizën e gjatë. E gjithë procedura ka shkuar sipas procedurës dhe ligjit dhe nuk besoj se është shkelur Kushtetuta. Ajo është zgjedhur para përfundimit të orarit dhe për këtë arsye nuk kemi të bëjmë me ndonjë shkelje të Kushtetutës.
Në vijim, ai nënvizoi se për Kosovën mbeten një sërë sfidash të rëndësishme, veçanërisht në raport me Serbinë, njohjet ndërkombëtare dhe çështjen e krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Ka shumë punë dhe shumë sfida. Duhet të koordinohen avokatët shqiptarë dhe kosovarë për të bërë maksimumin për lirimin dhe mbrojtjen e krerëve të UÇK-së. Me këtë zgjedhje u evituan të gjitha pengesat dhe, në një farë mënyre, humbës janë të gjithë, edhe pozita edhe opozita, sepse Shiroka mund të ishte vlerësuar dhe përshëndetur shumë më herët dhe jo në minutat e fundit. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli dhe jo nga kalkulimet politike. Besoj se presidentja e re, Shiroka-Pula, do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë dhe tani duhet të ecim më tej, të fillojmë bisedimet me Serbinë, të forcojmë pozicionin e Kosovës në arenën e jashtme dhe të bëjmë përpjekjet për njohjen nga pesë shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që të mos mbesim si viktimë apo si një shtet i humbur në arenën ndërkombëtare.



