
Votat e diasporës për zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të kenë një peshë të rëndësishme në përcaktimin e përbërjes së institucioneve të reja, ndërsa procesi i verifikimit të votave të ardhura me postë vijon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të KQZ-së, 104 mijë e 480 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në mbarë botën kanë votuar 22 mijë e 414 qytetarë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri të mërkurën, janë shqyrtuar mbi 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
Prej tyre, 7.153 janë miratuar, ndërsa 142 janë refuzuar.
Sipas Elezit, arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që KQZ-ja ua dërgon votuesve të regjistruar për votim përmes postës.
Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.
“Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor, në orën 16:00, dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, deklaroi Elezi.
Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së, pakot janë tërhequr nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga Kosova.
Nga këto kuti postare janë tërhequr mbi 85.700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë transportuar në Kosovë për t’iu nënshtruar procesit të verifikimit dhe më pas numërimit.



