
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar sërish me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviçin, në rigjykimin për akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Trupi gjykues e shpalli fajtor Bajroviçin për pjesëmarrje në krime të kryera ndaj civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallç, Gurrakoc dhe zona të tjera përreth Komunës së Istogut në fillim të vitit 1999.
Fillimisht, më 19 korrik 2024, Gjykata Themelore e kishte dënuar Bajroviqin me 12 vjet burgim.
Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Apelit më 21 maj 2025, e cila rrëzoi ankesën e mbrojtjes dhe vlerësoi se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë.
Megjithatë, më 4 dhjetor 2025, Gjykata Supreme pranoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga avokatët mbrojtës, Ljubomir Pantoviç dhe Milosh Deleviç, duke e kthyer çështjen për rigjykim.
Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë procesit gjyqësor se më herët kishin dhënë dëshmi edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por këto deklarata nuk gjendeshin në dosjen e çështjes.
Për këtë arsye, Supremja vlerësoi se ato duhej të siguroheshin dhe të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 shtator 2023, Bajroviç akuzohet se, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në një fushatë represive ndaj popullsisë civile shqiptare në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Aktakuza e ngarkon atë me pjesëmarrje në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim mizor dhe çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të popullsisë civile, si dhe në plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e banesave gjatë luftës në Kosovë.
Me vendimin e rigjykimit, Gjykata Themelore e ka lënë në fuqi të njëjtën masë dënimi prej 12 vitesh burgim ndaj Ekrem Bajroviçit.



